Skuadra e Suharekës dhe ajo e Ferizajt e kanë siguruar sot ngjitjen në Superligën e Kosovës, për sezonin e ardhshëm 2024/25.
Fitorja e sotme 1:0 e Suharekës kundër Drenicës dhe humbja e Trepçës ’89 nga Vëllaznimi kanë bërë që dy xhiro para se të përfundojë ky sezon, skuadra e Suharekës ta sigurojë Superligën nga Grupi A i Ligës së Parë, raporton KosovaPress.
Ndërkaq, Superligën zyrtarisht e siguroi sot skuadra e Ferizaj, e cila e mposhti 3:0 si mysafire Flamurtarin.
Dy xhiro para fundit të sezonit, Ferizaj siguron rikthimin në elitën e futbollit tonë nga Grupi B i Ligës së Parë, sepse ndodhet tri pikë para vendit të dytë, Prishtinës së Re, dhe njërën prej dy ndeshjeve të mbetura e ka ndaj Vllaznisë. Kjo e fundit është përjashtuar nga liga tashmë dhe Ferizaj automatikisht do t’i marrë tri pikë për atë ndeshje, me ç‘rast e siguron Superligën që nga sot.
Në anën tjetër, Suhareka siguron Superligën nga vendi i parë i Grupit A, e për pozitën që dërgon në barazh ende në luftë nga ky grup janë Dinamo e Trepça ‘89. Fituesi mes tyre do të përballet me Prishtinën e Re nga Grupi B fillimisht, e më pas më i miri i barazhit të Ligës së Parë do të përballet me vendin e tetë të Superligës.