Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.
"Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, tha ai.BE megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për BE dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.
“Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano për Evropën e Lirë.
Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me BE, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.
Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.
Lobimi i Serbisë kundër Kosovës përben shkelje "të qartë" të Marrëveshjes së Brukselit
Njëkohësisht, BE-ja ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje "të qartë" të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.
Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fuste në agjendë kërkesën për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme.