Dy njerëz kanë vdekur dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave në një bar për pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë. I dyshuari është gjetur i vdekur në mëngjesin e së enjtes, ka thënë policia.
Informacionet për motivin e sulmit nuk janë bërë të ditura. Megjithatë, mediat lokale kanë raportuar se ai ka pasur disa postime në rrjetet sociale, në të cilat kuptohet se ka pasur qasje kundër komunitetit LGBT dhe hebrenjve. Sipas mediave, sulmuesi ka qenë sllovak dhe djali i një ish-kandidati për një parti politike të ekstremit të djathtë.
Ky rast, që dyshohet se është krim mbi baza të urrejtjes, ka rikthyer thirrjet për t’i dhënë fund homofobisë në Sllovaki. Në këtë shtet, relativisht konservator të Bashkimit Evropian, nuk janë të lejuara martesat e personave të gjinisë së njëjtë./REL