Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar me titullin më të lartë "Naim Frashëri" gazetarin shqiptar Bedri Sadiku.
Mbrëmjen e sotme, në një-vjetorin e vdekjes së tij, është kujtuar puna dhe veprimtaria e tij katër dekadëshe, ku mes tjerash u tha se Sadiku punoi në treva të ndryshme shqiptare duke informuar popullin shqiptar në kushte jo të zakonshme.
"Bedri Sadiku së bashku me një grup të gazetarëve të Kosovës, ishin një zë ndryshe të gazetarisë në Shqipëri. Edhe Rilindja ishte ndryshe dhe ishte rilindje në Shqipëri. Rilindja i mblodhi të gjithë veprimtarët e Kosovës dhe ishte udhërrëfyese e kohës së presidentit Ibrahim Rugova. Duke marrë për bazë të gjithë veprimtarinë në Kosovë dhe Shqipëri, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka ngarkuar tre këshilltarët e tij që sonte presidenti Ilir Meta duke vlerësuar të gjithë kontributin, i ndan çmimin më të lartë që Republika e Shqipërisë ka, duke i dhënë titullin e lartë ‘Naim Frashëri’, tha Gashi.
I biri i Bedriut, Kushtrimi ka falënderuar presidentin Ilir Meta për vlerësimin e punës katër dekadëshe të babait të tij.
Në letrën e dërguar nga presidenti i KosovaPress, Skender Krasniqi dhe të lexuar nga drejtori i lajmeve, Ideal Gola thuhet se janë krenar për kontributin e dhënë nga Bedri Sadiku. Veç tjerash, derisa u fol për të, u tha se ai raportoi mbi luftën heroike të UÇK-së.
"KosovaPress e pati Bedriun edhe në sfidat e zhvillimit të saj pas luftës duke u përpjekur së bashku së pari në mbijetesën e saj duke vizituar qytete të shumta në Kosovë dhe në Maqedoni për të bashkëpunuar me KosovaPress-in si dhe në udhëheqjen e projektit për dhënien e lajmeve në gjuhën serbe, kroate dhe turke të përkrahur nga ambasada amerikane. Me Bedriun apo doktorin siç e thërrisnim njëri-tjetrin kemi pasur gjatë gjithë kohës jo vetëm bashkëpunim gjatë kohës sa ka qenë në KosovaPress, por edhe miqësi duke biseduar së bashku për sfidat e Kosovës, Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Dhe të kombit tona në përgjithësi", thuhet në letrën e dërguar nga presidenti i KosovaPress, Skender Krasniqi.
"Ka qenë një njeri i cili na ka dhënë shpresë, shpresa më e madhe kanë qenë shkrimet e tij. Qoftë i lehtë dheu ku pushon trupi i tij. Thonë se të gjallët vazhdojnë të jetojnë për të dëshmuar. Ne sonte po dëshmojmë për Bedriun, shumë prej neve dëshmojnë për rrugën e vështirë dhe kontributin e kësaj vepre, të shtëpisë së lirë të Kosovës. Por e pamjaftueshme pa pjesën lindore të Kosovës", tha Haziri.
Veprimtari dhe gazetari, Bedri Sadiku është kujtuar edhe nga përfaqësues nga Lugina e Preshevës, Gjilani dhe Shkupi. E, bashkëpunëtori shumëvjeçar, Avni Spahiu ka kujtuar Sadikun, duke thënë se në kohën kur kanë raportuar kanë qenë të censuruar.