Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka kërkuar nga autoritetet lokale të ndërmarrin masa dhe të përgatiten për një mot me reshje intensive gjatë javës së ardhshme.
Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikojnë se java e fundit e muajit shtator do të karakterizohet nga reshje shiu, të cilat do të jenë me intensitet shumë të lartë në Qarkun e Shkodrës dhe intensive deri në nivelin mesatar në Qarqet Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, thuhet në njoftim.
Në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës dhe Drini i Lezhës pritet një rritje e prurjeve. Bazuar në këto të dhëna, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u bën thirrje autoriteteve vendore të marrin të gjitha masat e nevojshme duke paralajmëruar veçanërisht popullatën në ato zona, ku parashikohet që kanë rrezik më të lartë për t’u prekur nga stuhia apo përmbytjet.
Agjencia e Mbrojtjes Civile u kërkon strukturave të pushtetit vendor të monitorojnë gjendjen për përballimin e çdo situate të mundshme.