Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.
Çmimi i më të mirit në javën e katërt i ka takuar futbollistit të FC Prishtina, Endrit Krasniqi. Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Arben Zeqiri nga KFV Gjilani, Fatmir Mehmeti nga KFV Drita dhe Rifat Nasufi nga KFV KEK-u.
Endrit Krasniqi këtë çmim ia ka dedikuar krejt ekipit. “Besoj që ky çmim është meritë e gjithë skuadrës, por natyrisht edhe e imja. Si unë personalisht, ashtu edhe i gjithë ekipi patëm paraqitje shumë të mirë në ndeshjen me Llapin, por në të njëjtin nivel kemi luajtur edhe në të ndeshjet e deritanishme. Mendoj që në Prishtinë është duke u bërë një organizim shumë i mirë dhe kjo na jep shpresë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe t'i marrim ndeshjet një nga një”, ka theksuar Krasniqi pas marrjes së këtij çmimi.