Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka deklaruar se mbështet thirrjet që tifozët të shmangin udhëtimin në Shtetet e Bashkuara për ndeshjet e Kupës së Botës, për shkak të shqetësimeve serioze për sigurinë dhe klimën politike në vend. Reagimi i tij vjen në përkrahje të deklaratave të avokatit zviceran kundër korrupsionit, Mark Pieth, i cili ka vënë në pikëpyetje organizimin e turneut në SHBA.
Blatter shprehu publikisht dakordësinë me Pieth, duke theksuar: “Mendoj se Mark Pieth ka të drejtë që e vë në dyshim këtë Kupë Bote”. Pieth e lidhi qëndrimin e tij me ngjarjet e fundit në SHBA, përfshirë vrasjen e protestueses Renee Good nga një agjent i imigracionit në Minneapolis në fillim të janarit, si dhe vdekjen e një qytetari tjetër amerikan, Alex Pretti, fundjavën e kaluar. Sipas tij, këto raste ngrenë dyshime serioze për sigurinë e tifozëve të huaj.
Kupa e Botës pritet të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Ndërkohë, Blatter, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit të FIFA-s në vitin 2015 pas skandaleve të shumta, u zëvendësua nga Gianni Infantino. Vitin e kaluar, Blatter dhe ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, u liruan përfundimisht nga akuzat që lidhnin me një pagesë prej dy milionë frangash zvicerane ndaj Platini-t. Vetë Platini ka deklaruar së fundmi se Infantino, i cili ka ndërtuar marrëdhënie të afërta me presidentin amerikan Donald Trump, është “bërë më shumë një autokrat” dhe se “i pëlqen të pasurit dhe të fuqishmit”, duke shtuar më tej polemikat rreth drejtimit aktual të futbollit botëror.