SHBA, sulme ndaj ISIS në Siri – Kurdët njoftojnë armëpushim dhe tërheqje nga Alepo
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
SHBA, sulme ndaj ISIS në Siri – Kurdët njoftojnë armëpushim dhe tërheqje nga Alepo
SHBA03
11/01/2026 - 18:35
Linku u kopjua

Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate kanë ndërmarrë sulme të gjera ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri, si përgjigje ndaj vrasjes së tre amerikanëve muajin e kaluar. Ushtria amerikane konfirmoi se dhjetëra objektiva të IS-it u goditën mbrëmjen e së shtunës, kryesisht në zona rurale. Operacioni, sipas CENTCOM-it, lidhet drejtpërdrejt me sulmin në Palmira ndaj forcave amerikane dhe siriane.

Në këto goditje morën pjesë edhe forcat ajrore të Jordanisë, që shënjestruan disa pozicione brenda territorit sirian. Shefi i mbrojtjes i SHBA-së deklaroi se sulmi ndaj amerikanëve nuk do të mbetet pa përgjigje. Pentagoni ka bërë të ditur se prania ushtarake amerikane në Siri do të reduktohet gradualisht, edhe pse kërcënimi i IS-it mbetet aktiv.

Paralelisht, tensione të forta janë shënuar edhe në Alepo, ku forcat kurde njoftuan për një armëpushim me qeverinë siriane. Pas disa ditësh përplasje, palët ranë dakord për tërheqjen e forcave kurde nga lagjet Sheikh Maqsud dhe Ashrafiyeh. Ushtria siriane tha se operacionet në këto zona kanë përfunduar dhe se luftëtarët kurdë po transportohen drejt veriut.

Forcat Demokratike Siriane sqaruan se marrëveshja lejoi largimin e civilëve të bllokuar dhe të plagosurve. Gazetarë në terren raportuan për autobusë që largonin persona nga zonat e konfliktit, nën masa të rrepta sigurie. Fillimisht, pala kurde mohoi tërheqjen, duke e cilësuar lëvizjen si zhvendosje të detyruar. Përplasjet në Alepo kanë shkaktuar të paktën 21 viktima civile dhe kanë detyruar rreth 155 mijë persona të largohen nga shtëpitë, transmeton RTSH.

Familje të tëra u panë duke u larguar me nxitim, ndërsa disa të rinj u ndanë nga turma për verifikime. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë thirrje për rikthim në dialog politik. Situata në Siri mbetet e brishtë dhe e tensionuar, me frikën e një përshkallëzimi të ri.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026