Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, kërkon nga krerët institucionalë të fuqizojnë diplomacinë dhe lobin shqiptar në Amerikë për të ripërtërirë kontaktet me Kongresin në Uashington. Pas letrës së 16 anëtarëve të Kongresit të SHBA-së dërguar presidentit Biden në përkrahje të Serbisë, Spahiu thotë se kjo e fundit përmes gënjeshtrave po tenton të afrohet me administratën e re amerikane.
Ai për KosovaPress thotë se institucionet në Kosovë ka kohë të gjatë që nuk kanë punuar si duhet me SHBA-të.
Spahiu e konsideron shqetësuese edhe aktivizimin e lobit serb në SHBA dhe tendencën për përafrim me presidentin Biden.
“Përkundër faktit se Serbia ka qenë e bombarduar nga SHBA dhe NATO në rastin e agresionit të saj në Kosovë, qeveria e tanishme serbe po bënë përpjekje të jashtëzakonshme që të afrohet me administratën amerikane. Në të vërtetë ka një garë të hapur të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të krijojnë aleancë apo miqësi me SHBA-në. Ky është vetëm një reflektim, më parë presidenti serb vet ka qëndruar në Uashington dhe ka kërkuar që të ketë raporte miqësore dhe gjeostrategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është vetëm një shembull lidhur me këtë që e pohova. Është krijuar një lob serb në Uashington në Kongresin amerikan më saktë dhe po vepron në mënyrë aktive duke afruar qëndrimin dhe përfituar simpatinë e administratës Biden ndaj Serbisë duke u shtirur gjoja si një aleat i natyrshëm të SHBA-së. Edhe më parë ka pas një lob të tillë i cili ka qenë krejtësisht i pafuqishëm kundër lobit shqiptar në Kongres. Ai ka qenë shumë aktiv gjatë periudhës së viteve ‘80-ta, por edhe pas shpalljes së pavarësisë, pasi kemi pasur disa miq në Kongres”, deklaroi Spahiu.
“Ka relativisht një kohë të gjatë që nuk kemi punuar si duhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk e kam fjalën vetëm për këta bartës të detyrave të Ministrisë së Jashtme që janë aktualë, por një kohë të gjatë ne e kemi neglizhuar shumë gjëra. Madje edhe punën me Kongresin duke pas parasysh se disa nga miqtë tanë si Eliot Engel dhe të tjera nuk janë. Ne nuk kemi bërë përpjekje të duhura, po them përpjekje të vogla ndoshta, por përpjekje të mjaftueshme për të siguruar figura të tjera në kuadër të lobit shqiptar në kongresin amerikan. Unë mendoj se i përket edhe komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët kanë bërë aq shumë të kaluarën pikërisht duke punuar me Kongresin, që tani të përpiqen të rekrutojnë kongresmenë të rinj që do të merreshin me çështjen e Kosovës dhe mbështetjen e shtetit të ri të Kosovës”, shton ai.
Sa i përket mundësive që zvarritja e dialogut Kosovë-Serbi, t’i ndryshojë në qasjen e SHBA-së karshi Kosovës, Spahiu thotë se një gjë e tillë nuk qëndron. Prandaj, sipas tij në dialogun me Serbinë, Kosova duhet t’i shikojë interesat e veta dhe mos të pranojë kompromise.
Ditë më parë ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq, bëri publike një letër të 16 anëtarëve të Kongresit të SHBA-ve dërguar Presidentit Biden në përkrahje të Serbisë.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, iu shkroi të 16 kongresistëve amerikanë, ku kërkoi nga ta që të tërheqin nënshkrimin, duke iu kujtuar besnikërinë e shqiptarëve ndaj amerikanëve në periudha të ndryshme historike, ndërsa edhe veprimet e Serbisë që kanë qenë kundër Shteteve të Bashkuara dhe pro Rusisë.