Në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Londër, presidentja Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, me të cilin ka biseduar mbi rrugëtimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Osmani ka thënë se Islanda ishte vendi që i dha hov rrugëtimit dhe përpjekjeve për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Më 16 prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, ajo nuk u përfshi në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave në muajin maj, pasi Kosova refuzoi të hedhë hapa drejt themelimit të asociacionit.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e asociacionit, duke e cilësuar absurd një kushtëzim të tillë.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Ai u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.