Rita Ora, ylli i muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e lindur në Kosovë, dhe Ambasadore e UNICEF UK, vizitoi sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave.
Çdo fëmije duhet t’i sigurohet përkujdesja dhe një mjedis i sigurt për të pasur akses në shërbimet e mbrojtjes, arsimimin dhe argëtimin. Kjo është ajo që ofrohet në “Shtëpinë e Ngjyrave”. Që nga viti 2011, qendra e mbështetur nga UNICEF dhe bashkia e Tiranës, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth 4000 fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore.Të gjithë përfituesit e qendrës po ndiqnin aktivitetet e tyre të përditshme kur Rita Ora vizitoi secilin prej tyre. Ajo kaloi kohë me fëmijët duke luajtur, kërcyer dhe pikturuar së bashku. Gjithashtu, ajo u përpoq të ndihmonte stafin e kuzhinës për të përgatitur një byrek.
“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bën UNICEF. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në “Shtëpinë e Ngjyrave”. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha Rita Ora.
“Jam shumë i lumtur që Rita ishte pjesë e një vizite shumë të veçantë, për të parë punën e jashtëzakonshme që bëhet këtu nga stafi i mrekullueshëm i nismës ARSIS me fëmijët në situatë rruge. Kur bashkëpunojmë të gjithë bashkë, ambasada e Britanisë në Tiranë, UNICEF dhe i gjithë rrjeti i organizatave tona të shkëlqyera, që e kryejnë detyrën e tyre njësoj si organizatat në perëndim, kur vjen puna për të menaxhuar një rast në situatë rruge apo dhunë në familje, është një lajm i mirë, ndaj më vjen mirë që këtu kemi krijuar një ishull ekselence. Sigurisht, ka çështje të vështira, por ku ka vullnet ka edhe zgjidhje! Fakti që Rita është këtu, për të parë punën që bëhet këtu, na jep shumë kurajë”, tha Veliaj.
Vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së detyrueshme te fëmijët.