Avokuesi i çështjes së Kosovës në SHBA, Faton Bislimi, bëri të ditur se sot mirëpret me respekt të veçantë paraqitjen e Rezolutës Kongresionale 1451 në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, të inicuar nga miku i madh i Kosovës, kongresmeni Joe Wilson, së bashku me rreth 40 bashkënënshkrues dypartiakë. Rezoluta kërkon që Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vitin 2027 të mbahet në Charleston, South Carolina, dhe jo në Beograd.
“Për më shumë se dy dekada, në Washington kemi argumentuar vazhdimisht se stabiliteti i Ballkanit nuk mund të ndërtohet duke shpërblyer politika që shpesh bien ndesh me interesat strategjike të Perëndimit. Vlerësimi im ka qenë dhe mbetet se Serbia vazhdon të jetë një instrument i rëndësishëm i ndikimit rus në Evropë, ndërsa në vitet e fundit ka thelluar marrëdhënie edhe me Kinën dhe Iranin. Kjo e bën edhe më të rëndësishme që institucionet euroatlantike të dërgojnë mesazhe të qarta në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të sigurisë kolektive”, shkroi Bislimi.
“OSBE-ja është ndërtuar mbi parimet e lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektit për sovranitetin e shteteve. Vendi ku mblidhen përfaqësuesit e saj duhet të pasqyrojë këto vlera.
Falënderoj kongresmenin Joe Wilson dhe të gjithë bashkënënshkruesit republikanë e demokratë për lidershipin e tyre parimor. Miqësia amerikane me Kosovën vazhdon të mbetet garancia më e fortë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të rajonit tonë”, shkroi Bislimi, duke theksuar se puna konsistente, angazhimi serioz dhe vlerat e lirisë e demokracisë gjithherë kanë qenë dhe mbeten busollë e orientimit të tij strategjik për vendin e kombin tonë dhe kur ato sjellin rezultate ndjenja e krenarisë është e shumëfishtë.