Për ndeshjen e një dite më parë ku tifozët e Vardarit Komitët pandërprerë lëshuan thirrje raciste e antishqiptare reagoi edhe politika brenda dhe jashtë Maqedonisë. Ish-ministri i brendshëm i Shqipërisë, tani deputet i PS-së Taulant Balla ka shprehur shqetësimin e tij për këto thirrje antishqiptare të Komitëve. “Si dashamirës i futbollit, por dhe si një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e thellë për incidentet dhe dënoj ashpërsisht fyerjet me bazë nacionaliste e rraciste kundër futbollistëve dhe stafit të K.F. Bashkimi 1947 në një ndeshje të zhvilluar dje të kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Thirrjet kundër shqiptarëve ishin shumë të rënda dhe po aq të rënda duhet të jenë masat e ndërshkimet e ndërmarra nga Federata e Futbollit në vendin fqinj. Nëse futbolli europian dhe ai botëror gjatë kësaj jave u solidarizua me futbollistin e Real Madrid Vinicius, e njëjta gjë duhet të ndodhë me djemtë e ekipit dhe stafit të K.F. Bashkimi 1947 në Maqedoninë e Veriut. Do të jetë gabim i pafalshëm nëse në Maqedoninë e Veriut mbyllen sytë ndaj kësaj ngjarje!”, ka thënë Balla.
Pas incidenteve te nje dite me pare ka reaguar Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai. Ai ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe koret fyese që u dëgjuan gjatë takimit. Ngjarjet e fundit dëshmojnë se sporti në vend vazhdon të përballet me sjellje që “nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën e sportit, fair play-in dhe respektin e ndërsjellë”. Koret fyese dhe gjuha e urrejtjes janë absolutisht të papranueshme. Dënoj ashpër shfaqjet e tilla dhe refuzoj çdo përpjekje për t’i minimizuar apo justifikuar ato”. Fetai kerkon reagim nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente te veprojne menjeher. “Presim nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe vendosmëri, deri te sanksionet e nevojshme, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar Fetai.
Aleanca për Shqiptarët e Taravarit ka dënuar dhunën dhe fyerjet në ndeshjen e një dite më parë mes Vardarit dhe Bashkimit. Stadiumi nuk është vend për përleshje, provokime dhe thirrje që poshtërojnë qytetarë mbi baza etnike. Kjo nuk është “tifozeri”, kjo qasje provinciale është rrënim i rendit publik dhe nxitje e urrejtjes ndëretnike. Ajo që ndodhi në ndeshjen Vardar – Bashkimi është turp dhe sinjal i qartë se futbolli në Maqedoninë e Veriut po rrëshqet drejt dhunës dhe urrejtjes. ASH kërkon hetim të plotë për incidentet në fushë dhe në tribuna, identifikim dhe ndëshkim për organizatorët, provokatorët dhe çdo person që ka nxitur dhunë e urrejtje dhe masa të rrepta nga organet sportive dhe institucionet e sigurisë, përfshirë përgjegjësi konkrete për dështimin e kontrollit, raporton Alsat.mk.