Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i ka bërë thirrje Listës Serbe që të deklarohet dhe të tregojë se çfarë është pajtuar konkretisht lidhur me integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë, si dhe kush ka zhvilluar negociatat dhe në emër të kujt.
“Nëse nuk ka marrëveshje, atëherë është jashtëzakonisht e papërgjegjshme, madje edhe mashtruese, të paraqitesh si mbrojtës politik i popullit serb, ndërkohë që nuk ofrohet asnjë zgjidhje konkrete”, thuhet në reagim, ku vlerësohet se heshtja e Listës Serbe “nuk është e rastësishme”.
Rashiq në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka fituar një mandat deputeti në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lista Serbe ka siguruar nëntë mandate. Ai ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi Lista Serbe i braktisi institucionet në vitin 2022, ndërsa pritet që të jetë pjesë edhe e Qeverisë së re që do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 shkurt ka deklaruar se pesë deri në gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, duke theksuar se të gjithë duhet të jenë konstruktivë lidhur me këtë çështje.
“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave në këtë fazë të tregojnë sa më shumë përgjegjësi, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet në masë të madhe nga qasja që do të kenë në javët e ardhshme”, është shprehur Bislimi.
Dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Novobërda – udhëhiqen nga kryetarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.