Qeveria Kurti realizon 56 për qind të planit vjetor të punës
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua
Qeveria Kurti ka arritur të realizojë 56 për qind të planit vjetor të punës.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) ka arritur të realizojë në tërësi planin vjetor prej periudhës mars-dhjetor.
Ndërkaq, ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI) ka vetëm 28 për qind të planit të realizuar. Kështu u tha në prezantimin e nivelit të përmbushjes së Planit të Punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2021 nga Lëvizja Fol dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).
Koordinatori i projektit në Lëvizjen Fol, Erblin Hoxha ka prezantuar planet vjetore të ministrive.
"764 aktivitete janë paraparë nga Qeveria e Kosovës. 336 nuk janë realizuar, ndërsa pjesa tjetër po. Nëse e shikojmë në përqindje, 56 për qind të planit të punës janë realizuar nga Qeveria e Kosovës", ka thënë ai.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka arritur të realizojë 100 për qind të aktiviteteve. Po ashtu, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka numër të madh të aktiviteteve të zhvilluara, ku 94.3 për qind e planit të punës është e realizuar.
Ndërkaq, ministria me më së paku aktivitete të realizuara është ajo e Mjedisit me vetëm 28.9 për qind.