Dhjetëra mijëra vetë u bënë viktima të tërmetit në Turqi dhe Siri. A mund të kishin qenë më pak, nëse do të ishte paralajmëruar tërmeti i frikshëm? Pse nuk është i mundur parashikimi i saktë i tërmeteve?
A mund të ishte parandaluar katastrofa me kaq shumë viktima në Turqi dhe Siri nëse do të ishte bërë një paralajmërim në kohën e duhur? Pse nuk bëhen dot prognoza dhe cila është gjendja aktuale e shkencës në këtë drejtim?Pse nuk mund të dallohet koha e një tërmeti?
Një tërmet është një "proces shumë kompleks që ndodh papritur", shpjegon Heidbach. "Merrni një tas dhe shtypeni fort e më fort. Nuk dihet se në cilën pikë kohore ky tas do të thyhet, por kur çahet kjo ndodh fuqishëm dhe papritur." Një tërmet është ndyshe nga një uragan, ai është një proces "jo-linear". Tek një uragan mund të vëzhgosh, se si krijohet, si fiton gjithnjë e më shumë fuqi dhe mund të bësh prognozë edhe për rrugën që përshkon. Kurse një tërmet vjen gjithmonë pa paralajmërim, thekson Prof. Oliver Heidbach.
Çfarë do të thotë kjo për rajonet sizmike të forta?
Nëse do të mendosh për masa evakuimi, kjo nuk mund të bëhet pa e ditur kohën e tërmetit, sqaron Heidbach. Ajo që bëhet është zhvillimi i normave të caktuara në ndërtim për të përballuar tërmetet. "Ne studiuesit e gjeodezisë ofrojmë për këtë informacione, se me cilat lëvizje të tokës mund të llogaritet në të ardhmen". "Në rajonet e rrezikuara nga tërmeti, si për shembull në Gjermani në rajonin e Oberrheingraben duhet që në ndërtime të respektohen masa të caktuara, që e mbrojnë më mirë substancën e ndërtimit nga valët sizmike."
Sistemet e hershme të paralajmërimit
Një mënyrë për të kufizuar katastrofën janë sistemet e hershme të paralajmërimit. Sisteme të tilla janë në përdorim në Japoni dhe Meksikë. Nëse ky sistem regjistron një tërmet, atëherë të gjithë njoftohen përmes celularit, TV apo radios. "Në këtë rast ke 20, 30 ose në rastin më të mirë 60 sekonda kohë për të vënë një helmetë në kokë apo për të kërkuar një vend nën tavolinë", thotë eksperti Oliver Heidbach.
A mund të paralajmërohen në të ardhmen tërmetet?
Një paralajmërimi të saktë shkenca mund t'i ofrohet vetëm hap pas hapi, thotë studiuesi Heidbach. Një faktor i rëndësishëm për të vlerësuar më mirë tërmetin paraprakisht është drejtimi nga shkon lëvizja tektonike në një tërmet. Nëse ne do e dinim, ku fillojnë tërmetet, dhe se për ku po shkon lëvizja tektonike, kjo është diçka komplet tjetër për parandalimin e dëmit, konstaton Heidbach. Në rastin e Stambollit mund të thuhet të paktën, nëse krisja do të shkonte në drejtim të qytetit apo larg tij. Kjo bën një dallim të madh për dëmin e pritshëm. "Këtu po punojmë tani, dhe shohim hapin tjetër, për të përcaktuar më saktë mënyrën e zhvillimit të tërmetit", thotë Heidbach. "Të paktën në një rast të tillë do të mund merren masa përgatitore për katastrofën, që ne as nuk mund ta ndalojmë dot dhe as nuk mund ta parashikojmë."/DW/