Protesta e opozitës, hedhja e bombave molotov drejt Bashkisë së Tiranës, reagojnë ndërkombëtarët
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Opozita, grupi i Rithemelimit dhe anëtarë të Partisë së Lirisë, kanë protestuar ditën e sotme para ambienteve të Bashkisë së Tiranës.

Kjo protestë vjen në vazhdën e së parës ditë më parë, teksa opozita kërkon largimin e Erion Veliajt nga drejtimi, pas arrestimit të tre ish-zyrtarëve të kësaj bashkie, të cilët po hetohen nga SPAK.

Në protestën e zhvilluar sot, përfaqësuesit e opozitës kanë hedhur sërish bomba molotov në afërsi të derës së bashkisë, e po ashtu kanë gjuajtur me mollë, bojë e sende të tjera. Po ashtu ata kanë tentuar që të thyejnë edhe kordonin metalik të vendosur nga policia, me qëllim që të futeshin brenda ambienteve të bashkisë.

Pas pamjeve të sipërpëmendura, kanë ardhur dhe disa reagime nga ndërkomëtarët, të cilët njëzëri kanë dënuar aktetet e dhunës.

Ambasada Amerikane në Tiranë u shpreh në reagimin e saj se SHBA dënon dhunën e ushtruar gjatë protestës, ndërsa theksohet se aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në reagimin e Ambasadës, shkruan Top channel, transmeton KosovaPress.

Pas Ambasadës Amerikane edhe ambasada britanike ka dënuar dhunën në protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës këtë të premte.

“Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada Britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”, shkruan ambasada britanike.

Ndërkohë delegacioni i Bashkimit Evroipian në Tiranë po ashtu ka dënuar dhunën, duke theksuar se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE./Top channel

A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
560
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024