Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e djeshme në Dumnicë të Epërme të Podujevës.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj për KosovaPress ka bërë të ditur se prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në rast.
Personi i vrarë është 58-vjeçar.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është kualifikuar “Vrasje”, sipas KPRK-së. Mosha e viktimës është 58 vjeç, derisa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit.”, ka bërë të ditur Ulaj.
Një burrë është gjetur i vdekur dje në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Dumnicë të Epërme të Podujevës. Policia rastin e ka cilësuar si “Vrasje”. Lidhur me rastin, nuk është raportuar për të arrestuar./Kosovapress