Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, duke vlerësuar kështu efikasitetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut, asaj të Gjilanit dhe Gjakovës në menaxhimin e projekteve për renovimin e stadiumeve si dhe përmbushjen e qëllimeve të prokurimit për këto projekte.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi se mos realizimi i projekteve për renovimin e stadiumeve është e pafavorshme për futbollin dhe sportin në Kosovë.
Në njoftimin e ZKA-së thuhet se këto stadiume janë të vetmet të kategorisë së katërt me kapacitet më madh, që janë duke u realizuar në Kosovë. Vlera e përgjithshme e kontratave që kishte lidhur MKRS me komunat për renovimin e tri stadiumeve ishte 16.7 milionë euro, ndërsa deri në kohën kur auditimi është kryer janë shpenzuar vetëm 5.6 milionë euro.