Gjiganti kinez i teknologjisë Tencent ka investuar 1.2 miliardë euro në një degë të Ubisoft, prodhuesi i lojërave Assassin's Creed. Tencent do të mbajë rreth një të katërtën e biznesit të ri, ndërsa Ubisoft do të ketë pjesën tjetër të degës së re, e cila ka një vlerë rreth 4 miliardë euro, shkruan BBC News.
Njësia do të menaxhojë disa nga seritë më të njohura të Ubisoft, si Assassin's Creed, Far Cry dhe Tom Clancy's Rainbow Six. Tencent, që është një nga zhvilluesit më të mëdhenj të lojërave video në botë, është gjithashtu e njohur për shërbimet e saj me bazë në internet, përfshirë aplikacionin e njohur të mesazheve WeChat. Me këtë investim, Tencent bëhet aksionari i dytë më i madh i Ubisoft, me një pjesë prej 10%.
Ubisoft ka njoftuar se do të përqendrohet në titujt e tjerë të njohur, si Tom Clancy's Ghost Recon dhe The Division. Vlera e aksioneve të Ubisoft ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit për shkak të vonesave në lançimin e lojërave dhe rënies së shitjeve. Kjo ka ndodhur pavarësisht se aksionet e saj morën një rritje këtë muaj pas lançimit të Assassin's Creed Shadows, një lojë që ishte vonuar disa herë, përcjell KosovaPress.
Performanca e dobët e lojës Star Wars Outlaws dhe shqetësimet për menaxhimin e Ubisoft janë gjithashtu faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie. Sipas një raporti të fitimeve të Ubisoft, seria Assassin's Creed ka shitur mbi 200 milion kopje dhe ka gjeneruar rreth 4 miliardë euro të ardhura gjatë dekadës së fundit deri në 2024.