Prezantohet doracaku “Ndërkulturalizmi në Arsim”, synohet fuqizimi i dialogut ndëretnik
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe misioni i OSBE-së në Kosovë kanë prezantuar doracakun “Ndërkulturalizmi në Arsim”. Qëllimi i këtij doracaku është nxitja dhe fuqizimi ndëretnik duke u bazuar në respektin e diversitetit, tha ministrja Arbërie Nagavci. Ajo tha se ndërkulturalizimi është i ngërthyer në kulturën e shtetit me komunitetet, gjuhët zyrtare të pakicave dhe politikat që garantojnë drejtësi dhe trajtim të barabartë të qytetarëve.

Nagavci theksoi se ky doracak është rezultat i bashkëpunimit të frytshëm të mësimdhënësve nga komuna dhe komunitete të ndryshme.

“Qëllimi i këtij doracaku është nxitja dhe fuqizimi i dialogut ndëretnik duke u bazuar në respektin e diversitetit, që sot kuptohet drejt si vlerë e jo vetëm në Kosovë por në gjithë botën. Në fakt ndërkulturalizmi është i ngërthyer në kulturën shtetërore të Kosovës, me komunitetet tona, me gjuhët tona zyrtare dhe ato të pakicave me gjithë politikat e qeverisë sonë të cilat garantojnë drejtësi dhe trajtim të barabartë dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, deklaroi Nagavci.

Tutje, Nagavci shtoi se kultura luan rol në krijimin e identitetit individual dhe shtetëror dhe që ndihmon për të njohur vetën dhe të tjerët.

Ministrja e Arsimit theksoi se promovimi i dialogut mes komuniteteve është një ndër objektivat e planit strategjik 2022-2026, për çka shtoi se edhe doracaku është në harmoni të plot.

Edhe ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport theksoi se doracaku është hapi i parë për arritjen e objektives për ndërkulturalizimin.

Ai shtoi se duhet të ketë mundësi që fëmijët të mësojnë gjuhën e fqinjëve të tyre.

Shqipe Gashi Ramadani nga Divizioni për plan-programe dhe tekste shkollore në MAShTI tha se doracaku përbëhet prej dy pjesëve, ku mbështetet në filozofinë e ndërkulturalizimit.

Në doracak thuhet se arsimi ndërkulturor është një trend arsimor bashkëkohor, por edhe përgjigje konstruktive globale ndaj proceseve intensive te migrimit dhe diversitetit të komuniteteve shoqërore që pasqyrojnë heterogjenitetin kulturor, gjuhësor dhe etnik.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024