Presidentja ndan dekorata: Janë personalitete që ruajtën dhe promovuan vlerat tona
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Në përvjetorin e gjashtë të shenjtërimit dhe në 25-vjetorin e shkuarjes në amshim të Shën Nënë Terezës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë medalje presidenciale “Nënë Tereza” për disa prej personaliteteve shqiptare që kanë kontribuar me humanizëm në periudha të ndryshme të historisë.

Ndër personalitet e dekoruara është edhe Don Lush Gjergji dhe Motrat e Nënë Terezës, ndërsa medalje i është ndarë post-mortum edhe ish-ipeshkvit të Kosovës, Nikë Prelaj.

Presidentja Osmani tha se shumë personalitete shqiptare nuk kanë kursyer asgjë nga vetja në mënyrë që t’u ndihmojnë të tjerëve.

“Kam vendosur që sot të dekoroj me medaljen presidenciale Shën Tereza disa personalitete, të cilat krahas qindra e mijëra të tjerëve, kanë kontribuar në periudha të ndryshme të historisë sonë, në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona, duke dhënë shembullin personal se si peshën e dhunës ndaj nesh mund ta shndërrojmë në mjet për thellim dashurie ndaj njerëzve, në promovimin e shpirtit tonë human e shpërndarjen gjithandej botës të veprës kolosale të modelit të jashtëzakonshëm por edhe të përkatësisë etnike e kulturore të humanistes sonë Nënë Terezës”, ka thënë Osmani.

Ndër personalitetet e dekoruara është edhe Sadie Llaloshi, e cila kishte shërbyer motër kryesore e ambulancës së parë Nënë Tereza duke trajtuar pacientë të cilëve nga regjimi serb u ishte mohuar.

“Personalitetet që do të dekretohen sot janë duke filluar nga Don Lush Gjergji, i cili tërë jetën ia kushtoi njerëzve të këtij vendi, vlerave të popullit tonë dhe u shqua sidomos në promovimin nëpër botë të jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Sadie Llalloshi, infermiere e cila profesionin e saj human ia përkushtoi tërësisht shëndetit të popullit të saj në kohën kur ky popull po shtypej mizorisht nga regjimi i egër serb... Motrat e Nënë Terezës të cilat që nga viti 1982 u ofrojnë ndihmë më të varfërve, atyre që Nënë Tereza i deshi më së shumti, ato u ofrojnë atyre strehë, ushqim, kujdesen për ta dhe i mbajnë afër me dashuri sipas shembullit të misionares së madhe shqiptare Shën Terëz, Imzot Nikë Prelës pas vdekjes, i cili ishte dekoruar me këtë medalje nga presidenti Sejdiu, ne sot do të kemi nderin që atë medalje të ua dorëzojmë familjarëve”, tha Osmani.

Medalje presidenciale i është ndarë edhe kardinalit të vetëm shqiptar, Ernest Simoni dhe poetit të letrave shqipe, Visar Zhuti. Ndërsa medalje pas vdekjes i është ndarë edhe Jakë Mitës, i cili e drejtonte shoqatën Nënë Tereza.

Për këto dekorata, Don Lush Gjergji falënderoi presidenten në emër të të gjithë personaliteteve.

“Kur zemra është plot, thotë populli, goja është e zbrazët. Megjithatë, e kemi një fjalë e cila është e rëndomtë, por e ka kuptimin e jashtëzakonshëm dhe kjo është ‘faleminderit’. Falënderimi është ndër cilësitë më të bukura në jetën e njeriut, kush nuk di të falënderojë, nuk di as të jetojë. Falënderojmë presidenten tonë që është kujtuar t’i nderojë sidomos disa personalitete, po e heq vetveten prej kësaj liste”, tha ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024