Presidenti letonez, Edgars Rinkevics tha se Bashkimi Evropian duhet t’i heq sa më shpejtë masat ndaj Kosovës. Megjithatë, ai u shpreh më skeptik se Kosovës do t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të këtij viti, raporton KosovaPress.
Edgars Rinkevics foli në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë.
Osmani tha se është koha e fundit që të hiqen masat e padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Është koha që të largohen masat e padrejta që Bashkimi Evropian i ka akoma në fuqi ndaj Kosovës, po ashtu sa më shpejtë që të gjendet metoda dhe mënyra për statusin e vendit kandidat për Republikën tonë”, deklaroi Osmani, transmeton KosovaPress.
Një gjë të tillë e kërkoi edhe presidenti letonez, Edgars Rinkevics, i cili tha se Bashkimi Evropian duhet t’i heq sa më shpejtë masat ndaj Kosovës.“Qëndrimi i vendit tim është Bashkimi Evropian duhet t’i heq masat kufizuese. Qëndrimi i Letonisë është shumë i qartë. Mendojmë se duhet të largohen masat ndëshkuese dhe për këtë avokojmë në Bashkimin Evropian dhe të do të vazhdojmë të bëjmë këtë. Bindja ime është sesa më shpejt që do të ndodh kjo aq më mirë do të jetë. Nëse i heqim masat kufizuese atëherë do të shohim sesi do të shkojmë edhe me masa të tjera por nuk mund t’iu premtoj se statusi i vendit kandidat mund të jepet deri në fund të vitit”, theksoi ai.
Gjatë konferencës, Osmani u përgjigj edhe rreth draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin tha nuk do të kalonte assesi testin e Gjykatës Kushtetuese.
Osmani pas takimit me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, tha se këtë qëndrim ia ka adresuar edhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen gjatë vizitës së tij në Kosovë, përcjellë KosovaPress.
E para e vendit, u shpreh optimiste se lidershipi i ri i BE-së do të jetë më i balancuar në procesin e dialogut, pasi tha se dialogu deri tani s’është trajtuar në përputhje me parimin e barazisë nga ish-ndërmjetësit e kaluar.
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi foli edhe presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, i cili tha se duhet të vendosen parakushte të mira për vazhdimin e dialogut në mënyrë që të jepen rezultate të prekshme.Krahas këtyre, presidentja Osmani kërkoi nga Bashkimi Evropian që të ketë një përgjigje ndaj veprimeve destabilizeuse të Serbisë në rajon.
Përkitazi me këtë, Osmani dhe homologu i saj nga Letonia theksuan nevojën edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes./KosovaPress
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim