Me shpërndarjen në masë të madhe të monedhave 2 euro false, përveç qytetarëve edhe disa biznese janë duke u dëmtuar rëndë.
Nga kjo dukuri me bankënota falëse ka pësuar biznesi “Plus market”, të cilit iu kanë grumbulluar hiq më pak se 30 mijë euro të metalta 5-6 mijë euro falëse nga 2 euro.Ai thotë se nga 30 mijë euro të metalta mund t’i ketë në posedim 5-6 mijë euro falëse nga 2 euro.
“Unë kam afër 30 mijë euro nga dy euro në dy marketet, për një kohë të shkurt mu kanë bërë. Ka pasur njerëz që kanë ardhur dhe kanë paguar vetëm me 2-she… Unë e di që më dalin mbi 5 mijë euro false, ndoshta edhe 6 mijë. Ato unë kam me i lënë në një vend dhe kam me ia dërgua para qeverisë”, ka thënë Neziri.
“Tash këto para duhet t'i mbledhë shteti dhe t'i kompensojë bizneset 50 për qind. Sot telefonova në Fushë Kosovë një menaxhere në një bankë, më tha se t’i marrë paratë e mira, por 5 për qind do të ndalohen”, thekson ai.
Po ashtu, edhe qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë dukuri. Qytetari Sabri Rexha tregoi se në disa vende bizneset nuk ia refuzojnë 2 eurot. Ai, po ashtu, thotë se ka pranuar para false nga një market në vend.
Sipas tij, nëse kjo situatë do të vazhdojë, Kosova mundet të bëhet një shtet ku kontrabandohen monedha false.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala për KosovaPress, u shpreh se është duke iu bërë e padrejtë qytetarëve me falsifikimin e parave, dhe shtoi se mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjes së monedhës 2 euro-she është që të tërhiqet deri në një kohë të caktuar.
Fehmi Mehmeti, themelues i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, u shpreh se qytetarët duhet të qëndrojnë larg (cash)-it, në mënyrë që të eliminohen paratë false. Monedhat false ai tha se janë duke ndikuar edhe në imazhin e biznesit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion ditë më parë, në të cilin janë identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, për këtë janë arrestuar 6 persona të dyshuar, që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike 2 euro të falsifikuara. /A.Zogaj