Filatelia e Postës së Kosovës nga sot do të vë në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare të titulluar “Trashëgimia – Pikturimi parahistorik i Vlashnjës”.
Kosova ka thesar të vlefshëm arkeologjik dhe mjaft atraktiv, si pikturimin shkëmbor parahistorik të Vlashnjës që përmban një numër të madh të spiraleve, llojesh dhe pozitash të ndryshme, si dhe një dre.
Materiali arkeologjik i zbuluar në këtë lokalitet ka nxjerrur në pah fragmente të shumta të enëve nga argjila e pjekur, vegla pune nga guri, stralli dhe kocka, si dhe zbukurime dhe objekte utilitare, monedha etj.
Posta e Kosovës ka bërë të ditur se pullat postare që bartin imazhet e drerit dhe spiralet e artit shkëmbor të Vlashnjës, nga tani e tutje do të qarkullojnë në të gjitha vendet e botës, duke e promovuar Republikën e Kosovës dhe vlerat e saj të trashëgimisë kulturore.