Me rastin e shënimit të 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar themelimin e Këshillit Shtetëror për këtë përvjetor. Në këtë këshill nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.
Si rrjedhojë, Organizata e Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, së bashku me kategoritë tjera, ka themeluar këshillin organizues për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve përkujtimore dhe ceremoniale në kuadër të kësaj ngjarjeje historike.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës OVL-UÇK, Gazmend Syla tha për KosovaPress, se ishin të obliguar të krijonin këtë këshill në mënyrë që të mos mbesin jashtë organizimeve.
“Meqenëse ne nuk u përfshimë në këshillin shtetëror që e krijoi Qeveria e Republikës së Kosovës, në njëfarë forme ne u obliguam si shoqata të dala nga lufta, që të kemi kujdes të veçantë në këto ditë historike. Prandaj e kemi menduar që të edhe ne të krijojmë një këshill, në këtë rast me disa personalitete, domethënë që kanë kontribuar, në fakt janë edhe themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj luftëtarë të UÇK-së. Sigurisht që emrat e tyre janë më shumë ndoshta për simbolikën e tyre, për aktivitetin e tyre që e kanë pasur për çlirim të vendit”, tha Syla.
Syla tha se të njëjtit duhet të kuptojnë se në karrigat ku ata ulën sot, është ndërtuar mbi sakrificat e çlirimtarëve.
Ai kërkon një reflektim nga ana e institucioneve shtetërore.
Nënkryetari i OVL-së, Gazmend Syla përmendi edhe agjendën e tyre për 5,6 dhe 7 mars, e cila pritet të propozohet këtë javë në mbledhjen e këshillit.
“Po mendojmë homazhe me bë me datën pesë, se këto do të jenë propozime prej këshillit, këshilli do të vendosë, me datën gjashtë me bë vizita tek familjet e dëshmorëve, pastaj edhe të pranojmë vizita nëpër zyrat tona që i kemi edhe këtu në nivel qendror por edhe nëpër qendra të tjera, sepse kemi vizitorë, veç kemi marrë konfirmim që do të vijnë edhe nxënës të shkollave atë ditë na vizitojnë nëpër zyrat tona. Tani me datën shtatë është nata e zjarreve, do të organizojmë nëpër shtatë zonat operative që në atë kohë kanë qenë si zona të luftës, të ndezim zjarret”, tha ai.
Ndërsa, në Këshillin Organizues të kategorive të dala nga lufta, do të përbehet nga kryetari i OVL-UÇK-së Hysni Gucati, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Ali Ahmeti, Shefket Musliu, Sokol Poga, Agim Çeku, Lahi Brahimaj, Shukri Buja, Ahmet Isufi, Rahman Rama, Nuredin Lushtaku, Abdyl Mushkolaj, Latif Gashi dhe Rrustem Berisha.
Epopeja e UÇK-së shënohet më 5, 6 dhe 7 mars, në ditët kur u vranë nga forcat serbe familja Jashari në Prekaz.