Përmbyllet projekti “PedaKos”, mbështeten 15 kopshte sipas qasjes së Reggio Emilia
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Është përmbyllur projekti “PedaKos”, i cili fokus kishte edukimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë. Prej vitit 2018, janë realizuar aktivitete në rajone të ndryshme e në 15 çerdhe, duke zbatuar qasjen pedagogjike të Reggio Emilia. Projekti një milionësh ka përfshirë edhe Fakultetin e Edukimit, por me qëllim që fëmijët të jenë në qendër. “PedaKos” është mbështetur nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe zbatuar nga Volantari nel Mundo RTM me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Kosovë.

Koordinatorja e këtij projekti Anna Toldo tha se gjatë këtij projekti janë mbajtur mbi 100 orë trajnime mbi bazën e qasjes së Reggio Emilia.

"Qëllimi i PedaKos është të kontribuojë në zhvillimin e implementimit të planit strategjik të vitit 2017-2022, por po ashtu kemi publikuar edhe raportin e vitit 2022-2026. Kemi synuar shkolla të ndryshme, si publike edhe private, por po ashtu kemi dashur të arrijmë në rajone të ndryshme të Kosovës, duke krijuar një rrjet të shkëmbimit të përvojave. Sa i përket komponentëve të projektit në vijë me nevojat e edukimit të hershëm që i kemi identifikuar, jemi bazuar në tri veprime të ndryshme. E para është të kontribuojmë zhvillimit profesional të profesionistëve të edukimit në fëmijëri të hershme. Po ashtu, jemi fokusuar në përmirësimin e ambientit të të mësuarit dhe praktikave të mira dhe po ashtu mundësojmë partneritet publik dhe privat me fushën e edukimit në fëmijëri të hershme”, ka treguar Toldo.

Veç tjerash, ajo ka theksuar se në fokus ka qenë edhe Fakulteti i Edukimi, ku kanë ofruar trajnim dhe mentorim për zhvillimin e moduleve. 

“Kemi pasur një vizitë një javore për 37 pjesëmarrës në Reggio Emilia. Kemi pasur më shumë se pesë ekspertë në Reggio Emilia që kanë ardhur këtu në Kosovë për të parë realitetet këtu dhe për të krijuar një punëtori. Veprimi i dytë ishte ambienti i mësimit dhe kemi ofruar 15 shkolla me një atelie, që është një mundësi ku fëmijët munden me u transmetua një porosi. Ofrojmë mobile që janë të përshtatshme për fëmijë dhe materiale edukative, vegla të ndryshme të cilat janë të dobishme për të ofruar një hapësirë ushqyese të mirë, mikroskop digjital dhe mundësi për hulumtim”, shtoi ajo në përmbylljen e këtij projekti.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se për qeverinë është prioritet edukimi në fëmijërinë e hershme, për çka tha se gjatë mandatit të tyre kanë bërë edhe në ndryshimet legjislative.

"Edukimi në fëmijërinë e hershme është një nga prioritetet e qeverisë tonë edhe të ministrisë tonë dhe këtë deri më tani në më pak se dy vjet qeverisje, e kemi reflektuar jo vetëm në përmirësimin e legjislacionit në lidhje me edukimin e fëmijërisë së hershme duke analizuar Ligjin për Edukimin e Fëmijërisë së Hershme, një ligj tejet i rëndësishëm, i cili tashmë ka kaluar në lexim të parë në kuvend edhe besoj që shumë shpejt do të votohet në lexim të dytë duke ofruar edhe mundësi për realizimin edhe të politikave të reja, përfshirë bërjen obligative të edukimit prej moshës 5-6 vjet, licencimin e dadove, plot politika të reja”, u shpreh ministrja Nagavci.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonella De Riu ka folur për rëndësinë e këtij projekti.


“Ajo që kam parë në këto takime dhe takimet që kam pasur si me mësimdhënësit, ashtu edhe me prindërit ka qenë rëndësia që ka arritur të penetrojë në sistemin parashkollor të edukimit në Kosovë....Kjo është edhe pjesa e rëndësishme e sistemit të “Reggio Children” që në qendër janë fëmijët dhe janë të kyçur edhe fëmijët edhe mësuesit, pra nuk është mësuesi në krye të piramidës, por është një sistem gjithëpërfshirës duke filluar nga fëmijët... Kontributi kryesor i saj është që ndikon në rritjen dhe zhvillimin e të gjithëve, të fëmijëve, mësimdhënësve dhe të prindërve të cilët janë të kyçur në aktivitete dhe shohin rritjen e fëmijëve të tyre”,
tha ambasadori De Riu.

Ai shtoi se ka edhe projekte të tjera të cilat pritet të implementohen në Kosovë.


“Sapo kemi firmosur një projekt që është nga qeveria italiane me UNDP dhe që është për trajnimin e të rinjve dhe të komuniteteve në aftësitë e tyre digjitale me të rinjtë që do të zhvillohet së bashku me UNDP... Jemi duke punuar dhe duke zhvilluar një projekt që është për trajnim profesional të të rinjve, duke filluar nga shkollat që pasi që të dalin nga shkollat t’i përgatisim profesionalisht për punë dhe të ju gjejmë një punë të rinjve”, ka theksuar ai.

Presidenti i Reggio Children, Cristian Fabbi tha se ky projekt ka përfshirë shumë komunitete.

"Ky ka qenë një projekt madhështor për mendimin tim, sepse ka edhe lidhje të tjera me nisma të tjera dhe është shumë i suksesshëm. Nuk është diçka në vetvete por lidhet me gjërat tjera shumë... Reggio Emilia është një qytet i cili pas luftës së dytë botërore vendosi të vë politika të fëmijërisë së hershme në thelbin e aspektit politik në qytet. Të gjithë kryetarët e komunave dhe të gjithë këshillat e komunave të arsimit investuan jo vetëm në financa, por edhe në ide, resurse politike për ta vën në thelb-arsimin e hershëm të fëmijëve. Është një zgjedhje që u tregua shumë e suksesshme”, ka theksuar ai.

Sipas tij, çdo fëmijë ka të drejta dhe duhet tu ofrohet mundësi për zhvillim.

Në përmbylljen e këtij projekti ka folur edhe prodekania e Fakultetit të Edukimit, Majlinda Gjelaj ku ka treguar se tashmë është akredituar programi për edukimin në fëmijërinë e hershme.

Edhe Engjelina Duka e cila është koordinatore e cilësisë në kopshtin “Botanika” ka folur për përvojat e ndryshimit dhe përfitimet që kanë pasur nga projekti “PedaKos”. Ndërkaq, Klodina Krasniqi nga “Shpresa e Jetës” ka treguar për pjesëmarrjen e prindërve në shumë aktivitete që kanë realizuar me fëmijët.

Gjatë ditës është hapur edhe ekspozita lëvizëse “Biçikletat fantastike”. /Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024