Hapësira publike e gjithë bulevardit “Nënë Tereza” nga fillimi në fund, duke përfshirë edhe hapësirën publike të kampusit universitar duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes një konkursi të mirëfilltë ndërkombëtar arkitektonik. Përmes një detyre projektuese të përgatitur në mënyrë profesionale, që do të ishte bazë e shpalljes së konkursit arkitektonik e urbanistik të hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, ky konkurs do të duhej të trajtonte: dizajnin urban të gjithë bulvardit, arkitekturën e peizazhit dhe në mënyrë të veçantë të kaluarën historike të rezistencës për liri. Brenda detyrës projektuese të konkursit të parashihet edhe kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, sheshit të memorialit të udhëheqësit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sheshin e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci dhe ngjarjeve të tjera me rëndësi historike e kulturore për Kosovën. Nga ky konkurs do të duhet të rrjedhin edhe konkurset e veçanta arkitektonike për Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së dhe konkurset tjera për udhëheqësit e lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti dhe rektorin Ejup Statovci
Është thënë dhe është shkruar nga shumë krijues, shkrimtarë, filozofë, arkitektë dhe njerëz të dijes se mënyra se si e trajton hapësirën publike një shoqëri, flet shumë për vlerat që përfaqëson ajo shoqëri. Për më tepër, është thënë e është shkruar poashtu një gjë edhe më e rëndësishme: mënyra se si e trajton të kaluarën historike një shoqëri, dëshmon për vizionin se si do ta ndërtojë të ardhmen ajo shoqëri.
Së fundmi, qeverisja e kryeqytetit ka vendosur për jetësimin e planit rregullues të një pjese të qendrës së kryeqytetit, ku parashihet që hapësira e rrugës nga ndërtesa e katedrales “Nënë Tereza” deri të sheshi “Zahir Pajaziti” të jetë shesh publik. Në këtë mënyrë, Prishtinës do t’i krijohet një hapësire publike e mirëfilltë nga ndërtesa e Katedrales e deri tek Kuvendi i Kosovës, me synimin që pas ndërtimit të rrugës nëntokësore në rrugën “Agim Ramadani”, kjo hapësirë publike të vazhdojë deri tek pjesa e qytetit të vjetër të Prishtinës. Po ashtu, do të ketë mundësi që bulevardi të vazhdojë të ndërlidhet edhe me rrugën “Garibaldi” deri tek ndërtesa e Bankës Qendore të Kosovës. Dhe, kështu bashkë me parkun e gjelbëruar të hapësirës së Kampusit Universitar dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Prishtina e ka shansin e jashtëzakonshëm të krijimit të një hapësire të mirëfilltë publike, ku do të integroheshin vlerat origjinale arkitektonike e urbanistike, arkitektura e peisazhit dhe trajtimi bashkëkohor i të kaluarës sonë historike.
Mbi të gjitha, në hapësirat publike të kryeqytetit tonë, nuk është trajtuar në mënyrë të mirëfilltë as e kaluara jonë historike. Prishtinës, si kryeqytet i shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës, për të cilin shtet u sakrifikua bashkë më familjen dhe bashkëvendësit e tij, edhe 23 vite pas çlirimit i mungon memoriali i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri me 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz. Ashtu siç e kam thënë në korrik të vitit të kaluar përmes një shkrimi autorial, ky memorial përveçse do të shpërfaqte figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, ai duhet të jetë monument gjithëpërfshirës ku duhet të paraqitet flijimi i të gjithë familjarëve të ngushtë, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz.
Sipas mendimit tim, memoriali i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij duhet të planifikohet e të ndërtohet në një lokacion adekuat urbanistik brenda hapësirës së bulevardit “Nënë Tereza”, në hapësirën e fillimit të këtij bulevardi. Ndërtimi i memorialit në lokacionin e përmendores së “Vëllazërim-bashkimit” nuk është aspak ide e mirë, madje ide shumë tendencioze, për arsye se ajo përmendore është dëshmi e një koncepti antihistorik në bazë të të cilit ka ndodhur edhe gjenocidi i regjimit serb në Kosovë. Përmendorja e treshtyllëshe e “vëllazërim-bashkimit” ashtu siç ka propozuar ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së e veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, duhet të shndërrohet në Përmendore të gjenocidit shtetëror serb në Kosovë.
Ndërtimi i memorialit të Adem Jasharit e familjes së tij në atë hapësirë publike është fyerje për historinë e sakrificës së komandantit Adem Jashari e familjes së tij, është fyerje për Kosovën. Prandaj, memoriali i Adem Jasharit duhet ndërtuar në fillim të bulevardit “Nënë Tereza”, në një vend qëndror i cili do të përcaktohet pas një analize gjithëpërfshirëse përmes një konkursi ndërkombëtar.
Si përmbledhje, dua të propozoj që hapësira publike e gjithë bulevardit “Nënë Tereza” nga fillimi në fund, duke përfshirë edhe hapësirën publike të kampusit universitar duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes një konkursi të mirëfilltë ndërkombëtar arkitektonik. Përmes një detyre projektuese të përgatitur në mënyrë profesionale, që do të ishte bazë e shpalljes së konkursit arkitektonik e urbanistik të hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, ky konkurs do të duhej të trajtonte: dizajnin urban të gjithë bulevardit, arkitekturën e peizazhit dhe në mënyrë të veçantë të kaluarën historike të rezistencës për liri. Brenda detyrës projektuese të konkursit të parashihet edhe kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, sheshit të memorialit të udhëheqësit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sheshin e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci dhe ngjarjeve të tjera me rëndësi historike e kulturore për Kosovën.
Pas përzgjedhjes së fituesit të këtij konkursi arkitektonik dhe urbanistik të të gjithë hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, nga ky konkurs do të duhet të rrjedhnin edhe konkurset e veçanta arkitektonike për Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së dhe konkurset tjera për udhëheqësit e lëvizjës sonë kombëtare, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti, rektorit Ejup Statovci, etj.
Është momenti i fundit, që Prishtina të këtë hapësirën e duhur publike me vlera të mirëfillta arkitektonike, e cila do t’ia jepte Prishtinës përfundimisht vulën e një kryeqyteti bashkëkohor.