Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve numër 65 përmes metodës së likuidimit, shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e ndërmarrjeve shoqërore në dispozicion për shitje. Për 26 asete sa ishin në shitje gjithsej u pranuan 68 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 2 milionë e 306 mijë e 680 euro. Muharrem Arifi, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit ekzekutiv - operativ në AKP, tha se po vazhdon shpërndarja e 20 % për punëtorët, ku deri më tani janë shpërndajmë 163 milionë e 379 mijë e 229 euro, teksa numri i përgjithshëm i përfituesve të 20% është 52.092.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se deri më tani janë privatizuar 2 mijë e 939 asete të ndryshme, teksa në Fondet e Mirëbesimit janë grumbulluar 784 milionë e 114 mijë e 302 euro. Ndërsa, shuma e fondeve të shpërndara te kreditorët e ligjshëm është 61 milionë e 700 mijë e 360 euro për 307 ndërmarrje shoqërore në likuidim. AKP është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.