Për 12 vjet gati është dyfishuar numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani. Rrjedhimisht në këtë periudhë kohore shënohet rritje nga 291 mijë në 542 mijë qytetarë, që rezulton në 251 mijë ose 86 për qind më shumë persona, thuhet në një analize të publikuar nga Instituti GAP.
Sipas GAP-it disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se sipas matjes së fundit të vitit 2022, në Gjermani jetojnë 542 mijë persona me sfond migrimi nga Kosova, nga të cilët 330 mijë kanë lindur në Kosovë.
Sipas Institutit GAP në mikrocensusin e vitit 2022, 110 mijë persona deklaruan se bashkimi familjar është arsyeja kryesore e emigrimit të tyre nga Kosova në Gjermani; 85 mijë persona deklaruan se arsyeja kryesore është arratisja, azil-kërkimi dhe mbrojtja ndërkombëtare; 64 mijë persona deklaruan si arsye punësimin; ndërkaq, 41 mijë të tjerë emigruan për të krijuar familje.
“Të dhënat e vitit 2022 tregojnë se nga gjithsej 330 mijë persona të lindur në Kosovë, mosha mesatare në kohën kur ata emigruan në Gjermani ishte 22 vjeç. Po ashtu, nga 264 mijë kosovarë aktivë në tregun e punës në Gjermani, 251 mijë janë të punësuar, ndërsa 13 mijë janë të papunë”, thuhet në raport.