Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se raporti i progresit i Komisionit Evropian për Kosovën dëshmon paaftësinë e Qeverisë dhe mungesën e vullnetit për luftuar korrupsionin.
Në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, kanë thënë se raporti ka evidentuar një numër të madh të problemeve me të cilat ballafaqohet vendi, me theks të veçantë dështimin e Qeverisë në sektorin e shëndetësisë, liria e mediave dhe kritikat ndaj tyre.
“Në këtë raport të fundit të progresit për Kosovën është se në shumicën e fushave ka pasur progres të limituar dhe ne nuk kemi parë një angazhim të mjaftueshëm të kësaj qeverie për të punuar dhe angazhuar më shumë në secilin sektor. Asnjë ndryshim për aspiratën integruese të Kosovës dhe nuk ka asnjë reformë të thellë të cilën raporti për vendin e potencon. Raporti vë theks shqetësues mbi progresin e limituar të Kosovës në reformat të cilat ndërlidhen në sundimin e ligjit, reformat që lidhet me administratën publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pastaj deri te përpjekjet e mangëta për të luftuar informalitetin e ekonomisë që e kemi shumë të theksuar së fundi. Shqetësuese mbetet njëra prej temave që i potencon ky raport, e që është gjuha linçuese që është përdorur ndaj gazetarëve”, tha ajo.
Shefi i GP të PDK-së Aberald Tahiri ka thënë se për dallim nga Vetëvendosje, PDK-ja ka dhënë kontribut në progres.
Po ashtu, Tahiri ka thënë se edhe në reformën zgjedhore, çka raporti e vlerëson si progres, është angazhim i PDK-së që t’i japin mbështetje këtij procesi.
“Partia më e madhe opozitare për një kohë, LVV në mënyrë të vazhdueshme ka refuzuar reformën zgjedhore, ka refuzuar në rregulloren e Kuvendit, të cilës ne i kemi dhënë përkrahje, në mënyrë të vazhdueshme ka refuzuar mbështetjen e marrëveshjeve ndërkombëtare përfshirë edhe ratifikimin e MSA-së në vitin 2016 vetëm me faktin që Kosovën dhe neve të na nxjerrë keq në BE”, tha ai.
“Kjo qeveri nuk ka arritur të draftojë dokumente të duhura të cilat respektojnë të drejtat e njeriut, të cilat respektojnë parimet e përgjithshme demokratike të cilat përcakton kushtetua e Kosovës dhe vë në pah që duhet të merren parasysh vendimet e komisionit të Venecias. Kjo tregon për paaftësinë e tyre dhe ekipet e tyre mjaft të varfra intelektualisht që të japin kontributin e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit. Ky raport fajëson që Republika e Kosovës ka një mazhorancë stabile në kuptimin e numrave, por në anën tjetër thekson që ka telashe të vazhdueshme dhe në menaxhimin e saj”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, pas marrjes së raportit, në një konferencë për media kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se dokumenti i KE-së njeh përparimet e bëra nga Qeveria që ai e drejton. Ndërsa, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se reforma në drejtësi duhet të adresuar, para së gjithash, duke përmirësuar implementimin e mjeteve ekzistuese për të ruajtur integritetin, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Raporti i KE-së për vitin 2022 për Kosovën ndër të tjera ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative, ndërsa ka vlerësuar se në dialogun me Serbinë duhet të tregohet më shumë konstruktivitet dhe se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e thelbësore për t’ua mundësuar dy shteteve avancimin në rrugën drejt Evropës.