Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë të ditur sot se kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar.
Tahiri ka potencuar se seanca e fundit plenare (13 korrik) duhet të anulohet, si dhe të gjitha vendimet që janë marrë atë ditë.
Ai ka shtuar se kanë kërkuar masë të përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga seanca e fundit plenare.
“Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura. Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese.”, ka shkruar tutje ai.
“PDK qartazi janë pozicionu kundër popullit të Kosovës. Këta po duan t'i hakmerren popullit për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. E paimagjinueshme të shohësh që kjo parti e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Kryetarit të Kuvendit për seancën e javës së kaluar ku janë votuar një mori vendimesh të rëndësishme.”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.
Ndryshe, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e 13 korrikut, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.