Pak persona të dënuar për krimet e luftës në Kosovë
Lexohet për: 3 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

“Gjatë këtij viti, Zyra e PSRK-së (Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës) ka ngritur 15 aktakuza në drejtim të veprës penale ‘krim i luftës kundër popullatës civile’. Prej 15 aktakuzave të ngritura, tetë prej tyre janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe dhe shtatë aktakuza janë ngritur ndaj shtatë pjesëtarëve të forcave serbe të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe të cilët ndodhen në paraburgim", kështu është bërë e ditur nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) në tryezën e rrumbullakët të organizuar sot me temën “Perspektiva për drejtësinë për krimet e luftës - 25 vite më pas”.

Përmes titullit të raportit "Fillimi i një Faze të Re në Gjykimin e Krimeve te Luftës", FDHK ka transmetuar mesazh drejt publikut dhe institucioneve përgjegjëse rreth gjendjes aktuale të rasteve të krimeve të luftës.

Në këtë takim është kërkuar edhe bashkëpunim më i madh në mes instancave më të larta shtetërore të Kosovës, teksa theks të veçantë iu dha edhe mungesës së relacioneve me shtetin e Serbisë duke e bërë të vështirë kërkimin për dënimin e dorasëve të këtyre krimeve.

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka theksuar se Kosova është një storie suksesi për gjithë botën me arritjet që ka shënuar, porse ka shtuar se nuk duhet harruar e kaluara e saj. Ai është zotuar se përmes politikave të saj, do të marrin masat e duhura për gjithë ata që kanë shkaktuar krime në këtë vend.

Ndërkaq, Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka thënë se implementimi i rekomandimeve do të rrisë performancën dhe do të përforcojë institucionet e përfshira.

Koordinatori i projektit pranë FDHK, Amer Alija, derisa ka prezantuar raportin, ka theksuar se fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës.

Ai tha se që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, e në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile.

Ndërsa, Alija gjatë prezantimit të raportit ka rekomanduar që krijimi i bashkëpunimit afatgjatë mes gjyqësorit të Kosovës dhe gjyqësorin ndërkombëtar dhe rajonal me qëllim të shkëmbimit të përvijave dhe aftësimit sa më profesional në fushën e krimeve të luftës. Po ashtu një prej rekomandimeve ka qenë edhe që Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet t'i përzgjedh edhe katër prokurorë të tjerë në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës të PSRK-së, për të cilët që nga viti 2022 është ndarë buxheti nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka thënë se kjo gjykatë iu ka dhënë prioritet absolut trajtimit të rasteve të krimeve të luftës në raport me gjitha rastet tjera.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024