Pacenueshmëria e sovranitetit të Kosovës shihet si porosia kryesore e Escobar dhe Lajçak
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Pacenueshmëria e sovranitetit të Kosovës shihet si porosia kryesore e Escobar dhe Lajçak
Escobar - Lajcak Konferenca (15 of 32)
02/02/2022 - 13:47
Linku u kopjua

Ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës po konsiderohet si mesazhi kryesor i qëndrimit tre ditorë në Kosovë të përfaqësuesit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Përçimi i mesazhit të përbashkët të dy emisarëve për pacenueshmërinë e Kosovës po shihet nga njohësit e procesit të dialogut si lëvizje pozitive për vendin. Madje, sipas tyre, gradualisht po ndryshon edhe qasja e BE-së dhe Kosova po trajtohet e barabartë në dialog.

Ish anëtari i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Gazmir Raci thotë për KosovaPress se mesazhet për ruajtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial i mbyllin përfundimisht derën temave për korrigjim apo ndryshim kufijsh.

Ai shton se edhe deklarata e Lajçak se nuk dëshirojnë themelimin e një “Republikë serbe” përmes Asociacionit e lehtëson dialogun në këto momente.

“Ishte shumë e rëndësishme kjo vizitë për vet faktin se ishte vizita e parë e përfaqësuesit amerikan në Kosovë, ndërsa ishte vizita e shtatë e Lajçak në Kosovë. Dy porositë kryesore që unë i kam identifikuar nga kjo vizitë është ruajtja e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e ndërmjetësve, Kjo u ritheksua nga ana e ndërmjetësit Escobar. Kjo ka shumë rëndësi në këtë fazë sepse përfundimisht mbyllë derën e temave siç ka qenë korrigjimi apo ndryshimi i kufijve. E dyta ishte deklarata e përfaqësuesit të BE-së, e cili e thotë për herë të parë që thotë se ne nuk do të lejojmë një Republikë serbe. Kjo është e rëndësishme në këto momente edhe për lehtësuar dialogun, pasi ka pas shumë dilema në Kosovë që janë ngritur edhe nga vet kryeministri Kurti për këtë çështje”, thotë ai.

Qëndrimin e sotëm të ndërmjetësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak e sheh si ndryshim të narracionit të BE-së për Kosovën, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Megjithatë, ai kërkon kujdes nga institucionet e Kosovës, pasi, sipas tij ka shumë kontradikte të deklaratave edhe vet brenda Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, qëndrimin e ShBA-së e konsideron si ri konfirmim të mbështetjes së vazhdueshme karshi Kosovës. 

“Kemi një ndryshim të narracionit për Kosovën. Kemi një përparim, një ecje përpara në marrëdhënien BE-Kosovë në dialogun me Serbinë. Kosova po trajtohet si palë më e barabartë në tavolinën e bisedimeve. Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm pasi kemi pasur kontradikte të deklaratave edhe vet brenda BE-së. Në njërën anë zotëri Borrell e fajësonte Kosovën tekstualisht për mos zbatimin e marrëveshjeve dhe e lente atë fajtorin kryesore për mos zbatimin e asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera. Nga ana tjetër pala serbe nuk gjykohej për këtë gjë. Prandaj duhet të jemi pak të rezervuar dhe të shohim si po shkon dialogu në negociata me BE-në si palë ndërmjetësuese... 2:39 ShBA-ja është e qartë kemi ri konfirmim të vazhdueshëm për sovranitetin e Kosovës dhe pavarësinë e Kosovës. Zgjidhja përfundimtare shihen me njohjen reciproke në qendër, ky është një mesazh i qartë  i cili s’ka paqartësi. Megjithatë shohim se edhe ShBA-ja është pak e rezervuar në ofrimin e zgjedhjeve apo opsioneve në tavolinë, duke i lënë më shumë një lloj autonomie Kosovës dhe Serbisë për të vendosur”, thekson ai.

Në linjë të njëjtë shprehet edhe Gazmir Raci, i cili thotë se BE-ja përfundimisht po e mirëkupton qëndrimin e Kosovës dhe kryeministrit Kurti për një qasje ndryshe në raport me dialogun me Serbinë.

“Bashkimi Evropian përfundimisht e ka mirëkuptuar qëndrimin e Kosovës dhe të kryeministrit Kurti për një dialog ndryshe dhe një qasje ndryshe. Ndërmjetësit janë vetëdijesuar për një qasje të re karshi dialogut të Brukselit dhe natyrisht tashmë palët duhet të ulen në tavolinë dhe gjejnë opsionet që kënaqin dy palët në këtë rast”, shton Raci.

Në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë, Escobar tha se nuk është qëllimi i ShBA-së të imponojë modele për krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Ndërsa, Lajçak tha se Kosova s’ka pse të frikësohet nga kjo temë, pasi një gjë e tillë nuk do të thotë “Republikë serbe” në Kosovë.

Gjatë ditës, këtij të fundit iu kundërpërgjigj edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili tha se Kosova nuk frikësohet për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, por është më e kujdesshme dhe përgjegjshme në raport me dialogun me Serbinë.

Pas qëndrimit në Kosovë dy emisarët, Escobar dhe Lajçak do të vizitojnë Serbinë.

https://kosovapress.com/admin/kurti-i-pergjigjet-lajcakut-kosova-nuk-i-frikesohet-zbatimit-te-marreveshjes-per-asociacionin/
https://kosovapress.com/admin/lajcak-te-mos-frikesoheni-nga-asociacioni-askush-nuk-deshiron-nje-republike-serbe-ne-kosove/
https://kosovapress.com/admin/escobar-shba-nuk-ka-per-qellim-te-imponoje-modele-per-asociacionin/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8brashiq-kurti-te-kaloje-nga-bunkerizimi-ne-fushen-e-dialogut-politik/

/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026