Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ajo në foltoren e Kuvendit, ku ishte vendosur mbishkrimi “UÇK”, tha se Hashim Thaçi dhe të tjerët që po gjykohen në Gjykatën Speciale janë ngritur për liri, andaj çdo përpjekje për njollosje të luftës është e papranueshme.
“UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e padrejtë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së të Kosovës që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Ndaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë e minon drejtësinë dhe dëmton themelet e paqes afatgjatë në rajon... Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Asnjë dallim yni i së kaluarës apo i së tashmes nuk guxon të jetë pengesë në unitetin tonë, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare”, tha ajo.
Krahas kësaj, presidentja Osmani tha se pavarësia e Kosovës qëndron në vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova si dhe në luftën e komandantit legjendar, Adem Jashari.