Fushatë politike po konsiderohen vizitat e Vjosa Osmanit në komuna të Kosovës pak ditë para se t’i përfundojë mandati i presidentes. Aktivitetet e saj të fundit kanë ngritur aludime se Osmani po përgatitet për të qenë sërish pjesë e garës politike, qoftë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ose nëpërmjet një iniciative të re, pas përplasjeve të fundit me LVV dhe Albin Kurtin.
Osmani, pasi nuk mori mbështetje për një mandat të dytë si presidente, ka nisur disa vizita në komuna të Kosovës, e fundit ishte më 22 mars në Podujevë. E para e vendit, pas dështimit për të zgjedhur presidentin përmes një dekreti, ka shpërndarë legjislaturën e dhjetë. Aktualisht dekretit të saj i është vendosur masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tij.
Analisti politik Seb Bytyqi vlerëson se bazuar në indikacionet aktuale, ekzistojnë dy skenarë të mundshëm për të ardhmen politike të Osmanit.
Sipas tij, njëra rrugë është rikthimi në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa alternativa tjetër mbetet krijimi i një iniciative apo partie të re politike. Ai paralajmëron se rikthimi i saj në politikë, pavarësisht formës, mund të sjellë fragmentim të mëtejmë të skenës politike.
Rikthimin aktiv në jetën politike të Osmanit po e sheh edhe anëtarja e Këshillit të Përgjithshwm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina.
Sipas saj, do të ishte e natyrshme që Osmani të rikthehet në LDK, qoftë drejtëpërdrejt, apo përmes një koalicioni parazgjedhor me iniciativën që mund ta themelojë.
Pantina shton se LDK-ja duhet të jetë e hapur për rikthimin e Osmanit, pavarësisht krisjeve të mëhershme mes tyre. Ajo thekson se përgjegjësia për ndarjen nuk i takon vetëm Osmanit, pasi të dyja palët, sipas saj, kanë pasur pjesën e tyre të fajit. Duke rikujtuar raste të mëhershme të rikthimeve në parti, ajo përmend se largimet shpesh kanë ndodhur për shkak të mospajtimeve në mënyrën e drejtimit dhe jo për çështje ideologjike.
Sipas Pantinës, ekziston një frymë e përgjithshme brenda LDK-së që favorizon rikthimin e Osmanit, ndonëse nuk mungojnë edhe zëra kundërshtues. Ajo nënvizon se partia duhet të tregojë pjekuri politike dhe gatishmëri për të pranuar rikthimin e saj në radhët e veta.
Vjosa Osmani ishte përjashtuar nga LDK-ja në vitin 2020, pasi e njëjta nuk e kishte votuar rrëzimin e qeverisë Kurti. Pas mospajtimeve të thella me lidershipin e atëhershëm të LDK-së, Osmani kishte themeluar Listën Guxo, e cila kishte marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2021 nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Osmani, përkundër që kishte shprehur vullnetin për një mandat të dytë si presidente, nuk gjeti mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka shumicën parlamentare në Kuvend./E.Zeqiri/