Osmani nuk do të dekretojë Ligjin për pagën minimale, pret vendimin e Kushtetueses
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja Vjosa Osmani nuk do të nxitojë të dekretojë Ligjin për pagën minimale, pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese për të vlerësuar kushtetshmuërinë e këtij akti juridik.

Ditë më parë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkuan nga presidentja Osmani që të mos e dekretojë këtë ligj, pasi beneficionet e tyre nuk rriten me pagën minimale, që me ligjin e ri bëhen 264 euro.

“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për pagën minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, deklaroi Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, për KosovaPress.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Krahas AAK-së, kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji e mbështetën edhe dy deputetët e pavarur, Fatmir Humolli dhe Haki Abazi.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, teksa ka shprehur besimin që Gjykata Kushtetuese do ta jap vlerësimin e saj për Ligjin për pagën minimale, theksoi se ky rast do t’i thyej dy padrejtësi.

“Padrejtësia e parë lidhet me mashtrimin flagrant të shumës së pagës minimale i bëj pyetje publike kryeministrit të Kosovës dhe ministritë të Financave të na tregojë se kush e ka sot pagën 260 euro. Pra ky ligj që është miratuar nuk ka asnjë impakt në terren sepse sot nuk ka pas më pak se 260 euro në sektorin privat dhe as publik. Pra, është një mashtrim i radhës dhe e dyta lidhet po ashtu me dinjitetin e veteranëve të UÇK-së, lidhet me të drejtat e njeriut”, theksoi ai.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës theksoi se në kërkesën e tyre për vlerësimin e kushtetutshmërisë i kanë adresuar tri çështje që i konsiderojnë si shkelje flagrante dhe diskriminuese.

“E para Këshilli Ekonomik Social i cili përcaktohet në Ligjin e Punës dhe i cili asnjëherë nuk është konsultuar sa i përket pagës minimale tregon për një shkelje flagrante që Qeveria e Kosovës e ka bërë, e dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar, ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave dhe vlerave të njeriut....Dhe e treta lidhet me veteranët e UÇK-së rast ky është eklatant e i cili jo vetëm që është shkelje, por lidhet drejtpërdrejtë edhe me vlerat që kjo kategori përfaqëson”, tha Tahiri.

Javën që shkoi, Kuvendi i Kosovës me 60 vota pro dhe një abstenim miratoi Ligjin për pagën minimale.

Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro bruto, por kjo shifër është kundërshtuar nga partitë opozitare në vend, madje ata e bojkotuan seancën kur po votohej ky ligj.

Aktualisht paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024