Presidentja e vendit, Vjosa Osmani kërkoi nga të gjitha institucionet në Kosovë që të kenë prioritet barazinë gjinore. Sipas saj, sa më shumë që ka barazi gjinore aq më efektive është lufta kundër korrupsionit.
Në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ku u publikua raporti “Dimensioni gjinor i korrupsionit”, Osmani tha tha se barazia gjinore mbetet ende sfidë në Kosovë.
Ajo theksoi se në bazë të indekseve globale, shtetet më të fuqishme në luftën kundër korrupsionit janë ato që kanë siguruar barazinë gjinore.
“Kosova është një shtet që po ecë me hapa të rëndësishëm drejt stabilitetit dhe zhvillimit, por siç e dimë ende mbeten sfida të shumta. Pabarazia gjinore në çdo sektor është një prej tyre. Mendoj se kjo duhet të shndërrohet në një prej prioriteteve kryesore të të gjitha hallkave të institucioneve tona në mënyrë që të ndërtojmë institucione më të forta, të rritet besimi në këto institucione”, tha ajo.
Pjesë e tryezës ishte edhe drejtoresha e Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Tamra Greig, e cila tha se barazia gjinore është një rrugë strategjike për riformuar sistemin politik, ekonomik dhe social.Sipas saj, korrupsioni është një sfidë globale që e përjeton çdo vend, andaj kërkohet një zgjidhje më e përshtatshme.
Në anën tjetër, Arrita Rezniqi, menaxhere e programit në IKD, tha se në bazë të studimeve sa më shumë që ka gra në pushtet aq më pak ka korrupsion.
Ajo prezantoi edhe analizën ku sipas saj rezulton se pozitat udhëheqëse në vend janë të dominuara nga burrat.
“Sa më shumë që ka gra në pushtet aq më pak ka korrupsion. Kjo ka bërë realisht që integrimi i perspektivës gjinore të diskutohet çdo herë e më tepër si një mjet për të luftuar korrupsionin në tërësi”, deklaroi ajo.
Organizimi i kësaj tryeze u bë në kuadër të shënimit të Javës kundër korrupsionit në Kosovë.Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...