Oftalmologia nga Sllovenia: Kongresi Klinik në Kosovë përmirëson trajtimin ndaj pacientëve
Lexohet për: 5 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Në Kongresin e dytë Klinik që po mbahet në Prishtinë po ligjërojnë kirurgë të njohur të cilët kanë ardhur t’i ndajnë përvojat e tyre me kirurgët kosovarë. Sipas tyre, ky kongres është një shans i mirë që mjekët nga fusha e kirurgjisë në Kosovë të mësojnë metodat e reja kirurgjike të cilët ndikojnë në ofrim më të mirë të shërbimeve kirurgjike për pacientet.

Ndër ligjëruesit ndërkombëtar që po ligjërojnë në këtë Kongres të Dytë është edhe oftalmologia nga Lubjana, Barbara Cvenkel, e cila tha se është e jashtëzakonshme mbajtja e kongresit, që do të ketë impakt në mirëqenien e pacientëve.

“Thjesht desha të theksoj se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe mendoj se edhe bashkëpunimi, ku ka edhe disa mysafirë të ftuar, mendoj se bashkëpunimi i mjekëve të Prishtinës me të gjithë të tjerët, do të zgjerojë njohuritë dhe gjithashtu, ju e dini që do të na afrojë të gjithëve. Mendoj se ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm….. Ju mund të ndani përvojën tuaj, mund të jepni disa këshilla, mendoj se kjo gjithashtu do të përmirësojë trajtimin tonë ndaj pacientëve. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është e rëndësishme” tha ajo.

Oftalmologia sllovene pati lëvdata edhe për Kongresin Klinik dhe Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës që organizuan këtë ngjarje shkencor-mjekësor.

“Ajo që do të doja të shtoja gjithashtu është se organizimi i kongresit është super, unë e admiroj këtë, e dini, këtë përkushtim këtë angazhim të të gjithë mjekëve, sepse ata vetë janë të përfshirë, gjithashtu edhe mjekët e rinj. Dua të them, po ecën kaq mirë. Dhe për të ardhmen, ajo që do të doja të shtoja dhe theksoja, uroj që të kemi një histori shumë të gjatë bashkëpunimi me mjekët e Prishtinës dhe Kosovës për një kohë të gjatë. Kam pasur një bashkëpunim më herët, dhe unë jam duke punuar edhe sot me një zonjë nga Prishtina, dhe uroj që kjo të vazhdojë. Jam e sigurt se do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi Cvenkel.

Ligjërues në kongresin e dytë Klinik nga Sllovenia ishte edhe Tomaz Stupnik, i cili tha se synim ka ta ndihmojë Kirurgjinë Torakale në Kosovë.

Stupnik i cili është edhe kirurg torakal, theksoi se Kongresi Klinik ofron mundësi për të lidhur kontakte të reja mes mjekëve me qëllim të përmirësimit të shërbimeve mjekësore në të mirë të pacientëve.

“Kirurgët duhet të përmirësohen gjatë gjithë kohës, të përmirësojmë aftësitë tona, të sjellim teknika të reja në përdorim për të ndihmuar pacientët tanë, dhe shkëmbimi i informacionit është shumë i rëndësishëm, dhe në fakt kirurgjia torakale po transformohet nga kirurgjia minimale invazive vitet e fundit. Pra, qëllimi im tani për të ardhmen është të ndihmoj Kirurgët Torakale të Kosovës që këto teknika të reja, procedura minimale invazive t'i sjellin në përdorim normal…. është shumë e rëndësishme për ne që të ndajmë përvoja për të shkëmbyer ide, për të menduar për problemet dhe për të njohur njëri-tjetrin sepse ndonjëherë, kur kemi të bëjmë me diçka të veçantë, është shumë mirë nëse kontaktoni dikë jashtë vendit duke kërkuar këshilla dhe më pas bëni më të mirën e mundshme për pacientin tuaj. Pra, këto lloj takimesh na mundësojnë të krijojmë kontakte personale, dhe më pas të bashkëpunojmë në të ardhmen, ndoshta edhe online nga distanca”, tha ai.

Krahas, mjekëve ndërkombëtar në këtë Kongres të dytë Klinik po marrin pjesë si ligjërues dhe kirurgë nga Shqipëria.

Njëri nga ta është Fadil Gradica, kirurgë torakal në Spitalin Universitar “Shefqet Ndoqi”, në Tiranë.

Gradica tha se Kongresi Klinik është organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe po ofron mundësi për shkëmbime të përvojave mes gjeneratave të mjekëve.

“Ky është tribun për të gjithë mjekët, qoftë ata të gjeneratave të reja që mund të përfitojnë nga këto organizime, qoftë të gjeneratës së mesme apo gjeneratave të shkuara që janë pothuaje në pension. Sepse dihet që një shkencë ecen përpara duke respektuar të shkuarën por edhe duke u mbajtur fort dhe punuar për të ardhmen…. Këtu krijohet njohja mes eksperiencave dhe shkollave të ndryshme por edhe bashkëpunime të ndryshme”, theksoi Gradica.

Në Kongresin e dytë Klinik të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Odës së Mjekëve të Kosovës, po marrin pjesë mbi 700 persona.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024