Ofendime dhe përplasje të ashpra, krejt çka ndodhi në Komisionin Hetimor në Kuvend
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Me përplasje të ashpra dhe ofendime është mbajtur të mërkurën mbledhja e Komisionit Hetimor lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Anëtarët e komisionit nga radhët e pozitës dhe opozitës nuk u pajtuan për listën e dëshmitarëve dhe renditjen e tyre. Derisa deputetët e pushtetit prezantuan listën e tyre, të njëjtën e paraqitën edhe opozitarët si dhe u prezantua një listë nga ekspertët. Pozita kërkoi që hetimi të zhvillohet prej vitit 2011 deri në vitin 2023, ndërkaq sipas opozitarëve fokusi duhet të jenë në periudhën 2021-2023, gjatë qeverisjes aktuale. Anëtarët e komisionit nuk lëvizën nga pozicionet e tyre dhe lista nuk u hodh në votim fare, mirëpo përplasjet dhe ofendimet mes anëtarëve të komisionit nuk munguan.

Anëtarja e komisionit nga radhët e LVV-së, deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se komisioni duhet të miratojë një listë të vetme. Sipas saj, lista e opozitës dhe ekspertëve duhet të fuzionohet në listën e paraqitur nga mazhoranca.

Por me këtë gjë nuk u pajtua deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila kërkoi nga komisioni që të miratohen tri listat e prezantuara.

Ndërkaq, sipas deputetes së LDK-së, Rrezarta Krasniqi, periudha kohore e hetimit duhet të jenë në vitet 2021-2023, pasi siç tha është marrë vendimi edhe i seancës plenare.

Kërkesë të njëjtë tha edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila është edhe kryesuese e komisionit.

Por me këto deklarime nuk u pajtua deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila tha se si dëshmitarë duhet të ftohet ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili është deputet aktual i PDK-së.

Me mikrofon fikur asaj i reagoi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, gjë që nxiti deputeten e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni për ta quajtur injorate deputeten opozitare.

Por, Musliu-Shoshi insistoi që deklarimin e saj se duhet të thirren për dëshmi të  gjithë ish diplomatët e shkarkuar nga ministrja Donika Gërvalla.

Në një moment Musliu-Shoshi i tha deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli se çdo luftë me të e ka të humbur. Mirëpo Pacolli iu përgjigj se s’ka shkuar në Kuvend për të luftuar me kolegë por për të dëshmuar punën profesionale.

Mes këtyre përplasjeve, kryesuesja e komisionit, Time Kadrijaj, mbylli punimet e këtij komisioni pa arritur një dakordim për miratimin e listës së dëshmitarëve.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024