Vetëm 18 vjeç, Endrick bëri realitet ëndrrën e tij për t'u bashkuar me Real Madridin pasi u prezantua zyrtarisht si një nënshkrim i ri në “Santiago Bernabeu” më herët sot.
Ylli 18-vjeçar vjen nga Palmeiras në një marrëveshje me vlerë 60 milionë euro, duke përfshirë shtesat, pasi tashmë ka krijuar një reputacion si një nga talentet e rinj më të mrekullueshëm në të gjithë globin, raporton KosovaPress.
Pas një pritjeje të ngrohtë nga presidenti i klubit Florentino Perez, braziliani u ngjit në skenë dhe foli me tifozët, ndërsa u përpoq shumë të mos shpërthejë në lot pasi ëndrra e tij u realizua.
“Mirëdita të gjithëve. Dua të falënderoj të gjithë për ardhjen në ‘Bernabeu’. Nuk e prisja të gjithë këtë, kaq shumë njerëz", filloi Endrick ndërsa fansat shpërthyen në një ovacion, duke e bërë atë të pushojë për një kohë të shkurtër ndërsa lotët i rrodhën.
Në përfundim, Endrick tha: “Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndjej, sepse gjithmonë kam dashur të jem këtu. Është një ëndërr dhe është bërë realitet. Dhe tani, le të këndojmë të gjithë një këngë: 1, 2, 3…. Hala Madrid”.
18-vjeçari përfundoi kontrollin mjekësor më herët në mëngjes përpara se të nënshkruante kontratën e tij me Florentino Perez, e cila u pasua nga prezantimi në “Bernabeu”.