Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar ndaj një fushate mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS.
Sipas BQK-së, këto mesazhe paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga bankat komerciale, me qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe vjedhjen e të dhënave financiare. Mesazhet e dyshimta mund të përmbajnë lidhje të rreme dhe kërkesa urgjente për veprim, prandaj qytetarët këshillohen të mos bien pre e tyre.
Po ashtu, qytetarët këshillohen të mos kryejnë pagesa apo të vendosin të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS, të përdorin vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave, si dhe të shmangin regjistrimin e të dhënave të kartelës në platforma të pasigurta.
BQK po ashtu rekomandon aktivizimin e njoftimeve për çdo transaksion dhe kontrollimin e rregullt të historisë së pagesave dhe transferave, ndërsa çdo mesazh i dyshimtë duhet të raportohet menjëherë te banka apo institucioni financiar përkatës.