Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e mbrëmjes së sotme në Mitrovicë të Jugut, ku një person është dërguar pa shenja jete në spital, ndërsa rasti po hetohet nga Policia si “hetim mbi vdekjen”.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se rasti është raportuar rreth orës 18:40, në fshatin Kçiq i Madh.
Ndërkohë, zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Shpend Fazliu, ka konfirmuar se i riu është pranuar në Shërbimin Emergjent në orën 18:43, pa shenja jete.
“Në Shërbimin Emergjent është sjellë një mashkull i lindur në vitin 2008, pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat reanimatore, por përkundër përpjekjeve maksimale, nuk është arritur rikthimi i funksioneve jetësore”, tha Fazliu.