Nga abuzimi seksual, shitja e drogës e deri te rehabilitimi, Alli zbulon gjithçka
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ish-ylli i Tottenhamit, Dele Alli ka folur për krizën e tij në vitet e fundit në futboll, problemet e shëndetit mendor dhe fëmijërinë e vështirë, duke treguar tragjikisht se ai ishte abuzuar seksualisht në moshën gjashtë vjeçare.

Duke folur në një intervistë për emisionin “The Overlap” të Gary Neville, Alli tha se tani është koha e duhur për të treguar të gjitha problemet me të cilat ai ka vuajtur kohëve të fundit, sikurse personalisht ashtu edhe profesionalisht, raporton KosovaPress.

Alli, i cili kaloi sezonin e kaluar në huazim te Besiktasi, tha:

“Kur u ktheva nga Turqia, erdha dhe e morra vesh se më duhet të operohem dhe nuk isha në një gjendje të mirë mentale. Vendosa të shkoja në një qendër moderne të rehabilitimit për shëndetin mendor. Ata merren me varësinë, shëndetin mendor dhe traumat sepse ishte diçka që unë e ndjeva se ishte koha për ta bërë”, tha Alli.

Më tej, anglezi tha se ai i fshehte mirë problemet e tij.

“Të them të vërtetën, isha në një cikël të keq. Mbështetesha në gjërat që më bënin keq mua dhe po, mendoj se çdo ditë zgjohesha dhe isha duke fituar betejën, duke shkuar në stërvitje, duke buzëqeshur, duke treguar se isha i lumtur. Por në brendësi, isha duke e humbur betejën dhe ishte koha për mua që ta ndryshoja atë sepse kur u lëndova dhe më thanë që më duhej operimi, mund të ndjeja ndjenjat që i kisha kur cikli filloi dhe nuk dëshiroja që të ndodhte përsëri”, tha Alli.

“Kështu që shkova aty (qendër rehabilitimi), shkova aty për gjashtë javë dhe Evertoni ishin fantastik për këtë gjë. Ata më përkrahën 100% dhe do t’ju jem mirënjohës për tërë jetën”, shtoi më tej anglezi.

Alli – lojtar kyç i skuadrës së Anglisë që preku gjysmëfinalen në Kupën e Botës 2018, tregoi më tej për abuzimin seksual që e kishte pasur si fëmijë, duke thënë se ishte abuzuar në moshën gjashtë vjeçare.

“Jam dërguar në Afrikë për të mësuar disiplinën, dhe më pas më kthyen. Në moshën shtatë vjeçare, fillova të pijë cigare, ndërsa kur isha tetë vjeç fillova të shisja drogë. Një person i moshuar më kishte thënë se askush nuk e ndalon një person në biçikletë, kështu që me top, unë e kisha drogën me vete. Në moshën 11 vjeçare më varën nga një urë një person i një territori tjetër”, tha Alli.

“Në moshën 12 vjeçare më adoptuan, dhe që nga ajo kohë, ishte sikur unë u adoptova nga një familje fantastike, siç e thashë, nuk mund të kërkoja njerëz më të mirë për të bërë atë se çka e kanë bërë për mua. Nëse Zoti ka krijuar njerëz, ishin ata”, tha më tej Alli.

Më tej, Alli tregoi se si kishte konsideruar pensionimin nga futbolli qysh në moshën 24 vjeçare.

“Është e vështirë për ta gjetur një moment të caktuar kur ndjeva se gjërat nuk po shkonin mirë. Me siguri momenti më i vështirë për mua ishte kur Jose Mourinho ishte trajner, isha 24 vjeç. E mbaj në mend ishte një stërvitje, dhe në mëngjes u zgjova të shkoj në stërvitje, në kohën kur ai ndaloi duke më futur në lojë, dhe unë ndjehesha keq.

E mbaj mend se vetëm shikoja në pasqyre, ndoshta duket dramatike por vetëm shikoja në pasqyre dhe e pyesja vetën nëse mund të pensionohesha tani, në moshën 24 vjeçare, nga gjëja që e dua më së shumti. Për mua, kjo gjë ma theu zemrën vetëm që e mendoja pensionimin, kjo gjë më lëndoi shumë”, tha Alli.

Një numër lojtarësh i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje, duke përfshirë kapitenin e Anglisë dhe ish-shokun e skuadrës së Tottenhamit, Harry Kane, i cili tha se ishte krenar për Allin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024