Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë të hënën takimin e ardhës duke filluar nga ora 11:00.
Në rendin e ditës do të jenë pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme, mbajtur më 18, 19, 22, 23 nëntor dhe 6 dhjetor 2021: votimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për 2020, votimi i raportit vjetor financiar të Buxhetit të Kosovës për 2020, shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”.
Kryesia e Kuvendit pritet të caktojë edhe datën e seancës së re plenare. Në rendin e ditës së seancës së re plenare do të jenë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndihmën juridike falas, shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe formimi i Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.