Nënshkruhet marrëveshja 20 milionë euro për ujërat e zeza në Ferizaj
Lexohet për: 2 min.
muratiii
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergyi Maslichenko nënshkruan sot (e premte) një marrëveshje me vlerë 20 milionë euro.

Në komunikatë thuhet se përmes kësaj marrëveshje parashihet ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Rajonin e Ferizajt përmes së cilit parandalohet shkarkimi i ujërave të zeza në lumenj.

Nga ky projekt përfitojnë rreth 90 mijë qytetarë duke ndikuar në ruajtjen e burimeve lokale të ujërave. Gjithashtu, vlen të theksohet se projekti është në linjë me Strategjinë Nacionale të Ujërave për Kosovë (2023 -2027).

“Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri Murati theksoi se “ky projekt do të ndikojë në ruajtjen e ambientit në komunat e Ferizajit dhe Kaçanikut si dhe në gjithë rajonin përreth”, citohet Murati në komunikatë.   

Drejtori i BERZH-it për Kosovë, Maslichenko nga ana e tij shprehu se “ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe shëndetit publik në Kosovë. Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në sektorin e ujërave dhe mjedisit dhe shpresojmë që ky projekt të shërbejë si model i suksesshëm për projekte të ngjashme në të ardhmen”.

Ndërsa Kryeshefi Ekzekutiv në kompaninë “Bifurkacioni SH.A”, njëherit kompani zbatuese e këtij projekti, falënderoi palët për përkushtimin e treguar duke potencuar se projekte të tilla lehtësojnë jetën e qytetarëve në Rajonin e Ferizajt.

Të gjitha palët u pajtuan që ta thellojnë bashkëpunimin në projekte të tjera me interes për qytetarët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025