Në kuadër të shënimit të Epopesë së UCK-së, mbrëmja e 7 marsit në Skenderaj vazhdoi me një koncert përkujtimor të mbajtur në sheshin e qytetit.
Pas ndezjes së flakadaneve, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin e Skenderajt për të përkujtuar të rënët për liri. Gra, fëmijë dhe të moshuar, me krenari dhe me flamuj kombëtarë si dhe flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, interpretuan këngë patriotike kushtuar dëshmorëve të vendit.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes kujtoi se 7 marsi shënon përfundimin e rezistencës heroike të familjes Jashari në vitin 1998, një moment i rëndësishëm i historisë së Kosovës.
“Sot 28 vite më pas, përpjekjet e Serbisë për të luftuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ndaluan. Ato u përthyen me dosje e procese të shumta kundër ushtarëve të Kosovës, të iniciuara pikërisht në Serbi, pikërisht në ato institucione që kryen krime dhe gjenocid kundër popullit tonë.
Koncerti vazhdoi me këngë kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari. Hapjen e bëri këngëtarja Shkurte Fejza me këngën “Mora fjalë”.
Koncerti vazhdoi me këngë të tjera atdhetare kushtuar dëshmorëve dhe të rënëve për liri, të cilat u pritën me emocione dhe duartrokitje nga qytetarët e pranishëm.