Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) mori vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të të gjitha llojeve të qumështit të përpunuar për foshnja “Aptamil” në Kosovë.
Ky vendim është bazuar në njoftimet e shpeshta të pranuara nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), sipas të cilave disa vende të BE-së, përfshirë Kosovën, po përballen me situatën që ka të bëjë me praninë e mundshme të toksinës Cereulide në këtë produkt.
AUV në koordinim me operatorët ekonomikë, ka realizuar tërheqjen nga tregu të produktit të paralajmëruar. Ndërkohë, inspektorët e AUV-së janë në terren dhe po vazhdojnë me, siç thuhet, gjurmueshmërinë e plotë, me qëllim verifikimin nëse ka mbetur ndonjë njësi e produkteve te parajmëruara si të papërdoshme.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra më parë por edhe ky vendim kanë prioritet mbrojtjen maksimale të shëndetit të foshnjave dhe konsumatorëve, ndërsa situata po menaxhohet me përgjegjësi të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë.