Numri i mungesave të nxënësve në shkollat publike të Kosovës po vazhdon të rritet nga viti në vit, duke u kthyer në një nga shqetësimet kryesore në sistemin arsimor. Të dhënat zyrtare tregojnë një trend në rritje si të mungesave të arsyeshme, ashtu edhe të atyre të paarsyeshme.
Në vitin shkollor 2024/2025, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në shkollat publike të Kosovës janë regjistruar rreth 7.2 milionë mungesa të arsyeshme dhe 2.7 milionë mungesa të paarsyeshme.
Por, për t’u rritur për gati një milion në vitin 2022/2023, kur tejkaluan shifrën 2.4 milionë, krahas të arsyeshmeve që po ashtu u rritën për një milion, në 6.7 milionë.
Salihaj përmend disa arsye që ndikojnë në rritjen e mungesave të nxënësve në shkolla, ku më kryesoret sipas tij janë ato pedagogjike, psikologjike si edhe faktori social.
“Arsyet janë, së pari, pedagogjike, mandej janë psikologjike, po janë edhe emocionale. Unë besoj që nga analizat që i bëhet sistemit tonë arsimor, kjo pedagogjikja është shkaku numër një. Do të thotë, shkolla jonë nuk është atraktive, shkolla jonë nuk është digjitale. Mandej shkolla jonë ka kurrikula të ngarkuara, ka plan-programe të ngarkuara, ka shumë lëndë brenda një dite. Shkolla jonë nuk i motivon fëmijët. …02:52... Mandej po ashtu faktori psikologjik: shkolla jonë kryesisht nxënësit i ngarkon me shumë teste dhe mandej nga mos përgatitja, gjegjësisht nga faktori emocional, nxënësit fare nuk hyjnë në mësim për t'i ikur testimit ….03:10… Por edhe faktori social, kemi familje të varfra, kemi nxënës që udhëtojnë, kemi nxënës me kushte të këqija ekonomike që s'mund të arrijnë në mësim. Kemi, për shembull, fëmijë që punojnë një ndërrim”, tha Salihaj.
“Unë besoj që ne duhet të merremi me kontrollimin e legjislacionit, sepse te ne kur nxënësi mungon (kur ka mungesa) kryesisht merren masa disiplinore, por nuk merren masa ligjore. … 04:25… Unë besoj ne duhet ta kopjojmë sistemin gjerman: atje definitivisht nxënësi i cili mungon pa arsye, automatikisht alarmon prindin, automatikisht ekipi shkon te prindi, mandej dënohet prindi. ….04:40… Modeli ynë është tepër liberal. Ne e kemi keqkuptuar liberalizimin e shkollës dhe e kemi keqpërdorur skajshmërisht autonominë në shkollë”, tha ai.
Në këtë drejtim ai shton se në shkolla duhet të ketë trajnime urgjente për digjitalizim të ngjashëm me ato në Finlandë ku mësimdhënësit të kenë të paktën njohuri bazike në digjitalizim.
Lidhur me këto mungesa të nxënësve, KosovaPress ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit sa i përket qëndrimit të tyre për këtë fenomen, të cilët kanë thënë se për nxënësit e shkollave të Mesme të Larta është hartuar një Udhëzim Administrativ. Ndërkaq për nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, janë rregulloret që janë në përgjegjësinë e komunave, shkollave dhe prindërve.
Ndërsa sa i përket nivelit fillor dhe të mesëm të ulët i cili është edhe obligativ, nuk ka një masë konkrete ndëshkuese për nxënësit nga MASHT, përveç Ligjit për Arsimin Parauniversitar i cili parasheh se në rastet kur mungesat janë rezultat i neglizhencës ose veprimit të paramenduar të prindërve, ata mund të dënohen për kundërvajtje.
Ndërkaq as në Udhëzimin Administrativ për Kodin e Mirësjelljes dhe Masave Disiplinore për nxënësit e shkollave të Mesme të Larta e as në Ligjin për Arsimin Parauniversitar nuk ekziston një nen në të cilin paraqiten kriteret për arsyetimin e mungesave të nxënësve.