Mungesa e një stafi adekuat mjekësor që do të kujdesej për shëndetin e lojtarëve gjatë ndeshjeve zyrtare si dhe gjatë seancave stërvitore është një fenomen shqetësues që po i përcjellë shumicën e klubeve të Superligës së Kosovës në futboll.
Në mungesë të një mjeku të përgjithshëm, klubet funksionojnë kryesisht me vetëm një fizioterapeut i cili ka për detyrë të vlerësojë vetëm gjendjen fizike apo muskulore të lojtarëve.
“Ne si staf mjekësor e kemi këtu një mjek të përgjithshëm dhe jam unë fizioterapeut i klubit ku mjeku i përgjithshëm zakonisht merret me anën fiziologjike të lojtarëve ndërsa unë më anën fizike të lojtarëve, ku pastaj në koordinim më atë e bëjmë një raport ku mund të vlerësojmë se lojtari a është i gatshëm apo jo për ndeshje apo stërvitje. Normal ai nuk është çdo ditë në stërvitje mirëpo jemi në kontakt të vazhdueshëm me të ku marr këshilla prej tij për fushën e tij specialistike që e ka këtu në klub edhe bashkërisht koordinohemi për mënyrën se si duhet t’i menaxhojmë lëndimet apo ankesat e lojtarëve”, theksoi Bekteshi.
Ai shton se problemet shëndetësore që iu shfaqen lojtarëve gjatë ndeshjeve janë ta paparashikueshme dhe se ato ndodhin edhe në vendet që e kanë mjekësinë shumë të zhvilluar, por që mund të parandalohen dhe minimizohen me anë të kontrolleve sa më të shpeshta mjekësore
Situatë e ngjashme është edhe te klubi i futbollit Dukagjini. Në mungesë të një mjeku të përgjithshëm, është fizioterapeuti Florian Veselaj i cili është gjithmonë pranë skuadrës. Ai thotë se para çdo ndeshje, të gjithë lojtarët i nënshtrohen një kontrolli për të parë nëse janë të gatshëm fizikisht dhe nëse hasin në ndonjë problem, ata vazhdojnë tutje me ekzaminime të tjera mjekësore.
“Gjatë fillimit të ndeshjes, paraprakisht ne e kontrollojmë secilin lojtar dhe në momentin që lojtari ka probleme fizike ose probleme të tjera ne e ekzaminojmë, e shohim dhe marrim masa. Nëse lojtari nuk është në gjendje gjatë lojës ta vazhdojë lojën ose të jetë prezentë në lojë, e informojmë trajnerin, marrim masa dhe vazhdojmë me procedura të tjera”, tha Veselaj.
Doktori Bujar Fazliu thotë se tash e tetë vite është pjesë e skuadrës dhe se janë ta pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për reagim të shpejtë në rastet kur lojtarët shfaqin problem shëndetësore.
“Unë jam që tetë vite te Drita. Zakonisht jam pothuajse çdoherë prezent në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Zakonisht i trajtojmë problemet e ndryshme qoftë lëndime, qoftë ankesa të ndryshme, grip, ftohje e kështu me radhë… Nëse ndodhë gjatë ndeshje, do të thotë nëse i ndodhë ndonjë futbollisti, ne kemi elemente këtu të nevojshme, që janë të domosdoshme për shpëtimin e jetës, dhënien e ndihmës së parë. Pastaj me pjesën tjetër merret ambulanca e cila gjendet në stadium, do të thotë emergjenca, ata merren me pjesën tjetër”, tha Fazliu.
“Drita prej shumë vitesh, gjithmonë në stafin e vet ka pasur doktor të përgjithshëm dhe fizioterapeut që kanë qenë vazhdimisht të angazhuar me klubin, pa diskutim në ndeshje zyrtare por edhe gjatë seancave stërvitore, gjë që shumica e klubeve në Kosovë, me sa kam informacion dyshoj shumë që i kanë në seancat stërvitore… Por, ajo çfarë është shumë për keqardhje është fakti që edhe në ndeshje zyrtare, në shumicën e ndeshjeve zyrtare, apo në shumicën e klubeve, është vetëm ambulanca, për shkak të kriterit, është prezent me një shofer dhe nuk ka, as infermier apo as doktor, të cilët në ndonjë rast më të ndërlikuar duhet të jenë prezent dhe të reagojnë andaj mendoj që kjo çështje është mirë që të trajtohet mirë dhe të jetë një temë shumë serioze dhe ta marrin shumë seriozisht klubet karshi investimeve milionëshe të cilat i bëjnë klubet”, ka thënë Zymberi.
Për të kuptuar nëse ekziston një rregull rigoroz që i detyron klubet të kenë të angazhuar një staf adekuat mjekësor, KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës, por ata kanë qenë të pa qasshëm.